-Kjo kategori përbën vetëm 0.5 për qind të popullsisë rezidente në vend-

Instituti i Statistikave raportoi se për vitin 2018 në Shqipëri rezultonin gjithsej 14 mijë e 162 shtetas të huaj me leje qëndrimi, nga 12 mijë e 900 vetë që ishin në 2017-ën.

Por prej nga vijnë pjesa më e madhe e të huajve që duan të marrin lejen e qëndrimit në Shqipëri? Sipas INSTAT, në total gjatë vitit të kaluar pati mbi 9 mijë aplikime nga të huajt për të marrë lejen e qëndrimit në Shqipëri.

Në vendin e parë janë janë iranianët ose më saktë komuniteti muxhahedin në opozitë me regjimin e Iranit, të ardhur në Shqipëri pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane.

Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri aplikuan për leje qëndrimit 2223 shtetas iranian. Pas tyre në vendin e dytë, renditen italianët me 1709 aplikime për leje qëndrimi dhe në vendin e tretë vijnë kosovarët me 996 shtetas aplikime.

Turqit dhe amerikanët zunë vendin e katër dhe të pestë respektivisht me 875 dhe 350 aplikime për leje qëndrimi, ndërsa pjesa e mbetur vijnë nga shtete të tjera.

Sipas INSTAT, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka ardhur në rritje nga viti në vit, por sërish kjo kategori përbën vetëm 0.5 për qind të popullsisë rezidente në vend.

Veritas.com.al/