Komisioni Europian i ktheu përgjigje një eurodeputeti mbi shkelje të mundshme nga ana e Shqipërisë në rastet e Air Albania dhe Aeroportit të Vlorës duke njoftuar se prokurimet shqiptare do të vlerësohen nga teknicienët gjatë muajve të ardhshëm
Komisioni Europian bëri të ditur në një letër-përgjigje për eurodeputetin Paul Rübig nga Partitë Popullore Europiane, se do të kryejë një vlerësim të prokurimeve të debatuara publikisht të qeverisë “Rama” në përgjithësi dhe në veçanti, në rastin e kompanisë ajrore Air Albania dhe kontratës koncesionare të mbetur në negocim për aeroportin e Vlorës.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Johanes Hahn firmosi përgjigjen e Komisionit për pyetjet e ngritura nga deputeti Paul Rübig i Partive Popullore Europiane, blloku i partive të djathta në Parlamentin Europian.
Rübig pati ngritur pyetjen se çfarë mendimi ka Komisioni Europian në lidhje me shqetësimet e ngritura nga media se Air Albania u krijua si një partneritet publik-privat jashtë rregullave të prokurimit dhe Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit, (MSA), e cila ia detyron Shqipërisë që të bëjë prokurime publike të hapura dhe të vendosë në kushte të barabarta kompanitë europiane me ato joeuropiane apo shqiptare.
E njëjta pyetje u ngrit edhe për Aeroportin e Vlorës, për të cilin, Kuvendi i Shqipërisë, me kërkesë të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, miratoi një ligj të jashtëzakonshëm për negociata të drejtpërdrejta me disa kompani turke.
Afati i vendosur në ligj për negocimin ka skaduar prej kohësh ndërsa qeveria nuk ka bërë të ditur se çfarë rezultati kanë pasur negociatat. Megjithatë, metoda e ndjekur për arritjen e kësaj marrëveshjeje e njohur si “Procedurë e Veçantë Negociimi” ka ngritur shqetësime për prokurim të drejtpërdrejtë dhe pa garë, për anashkalim të ligjeve aktuale të prokurimit publik dhe partneritetin publik-privat si dhe për shkelje potenciale të rregullave të MSA dhe rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Komisioni është i vetëdijshëm për ankesat në lidhje me dhunimin e mundshëm të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit (MSA) mes BE-së dhe Shqipërisë në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe krijimit të Air Albania,” shkruan Hahn në përgjigjen e tij.
“Ndërsa nuk mund të dallohet një shkelje e hapur e MSA mes BE-së dhe Shqipërisë në kontrollet e deritanishme, këto çështje natyrisht që do të merret parasysh në vlerësimin e përgjithshëm të afrimit të Shqipërisë me acquis të BE-së,” vijon më tej letra.
“Një vlerësim më i gjerë dhe më i thellë i kuadrit të prokurimit publik dhe konkurrencës/ndihmës shtetërore në Shqipëri është planifikuar sakaq përmes ndërveprimeve të ndryshme teknike në muajt e ardhshëm,” paralajmëron Hahn në letër.
Qeveria shqiptare ka miratuar deri më sot pesë ligje speciale që në thelb shmangin garën dhe duket se përbëjnë prokurim të drejtpërdrejtë në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit me BE-në dhe rregullave të anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë. Të pesë ligjet nuk kanë sjellë pasoja deri tani, por BE është përfshirë në debat në dy prej këtyre katër ligjeve, atë për Teatrin Kombëtar dhe për Aeroportin e Vlorës.
Veritas.com.al/