Seanca gjyqësore e kësaj të mërkure për çështjen “Gërdeci” është përfshirë nga tensione të ashpra mes ish-ministrit Fatmir Mediu dhe familjes Durda.
Në momentin që Mediu po lexonte deklaratën, familjarët e familjes Durda, Zamira Durda është nxehur dhe ka thënë “vrasës, e kanë fajin prokurorët që nuk të arrestojnë e nuk ngrenë akuzë për vrasje” .
Gjatë përplasjes avokati i Mediut i kërkoi gjyqtares Irena Gjoka që familjarët e viktimave të masakrës së Gërdecit të nxirreshin jashtë. Nga ana e saj gjyqtarja disa herë ia ka tërhequr vëmendjen familjarëve të indinjuar.
Pala mbrojtëse e ish-ministrit ka kërkuar që të ketë një akt të ri ekspertimi për dëmin ekonomik, pasi i mëparshmi sipas tyre ka qenë i njëanshëm.
Vetë Mediu ka thënë se kemi të bëjmë me një proces politik, pasi ai po kërkohet të bëhet kokë turku.
Ndërkohë prokurori i çështjes u shpreh se nuk ka asnjë shkak për përjashtimin e ekspertëve.
‘Ekspertët nuk kanë asnjë shkak për përjashtim, në 2009 i pandehuri është njohur me të gjitha aktet, edhe në seancën paraprake, ne mendojmë se kërkesa për aktekspertim të ri të mos pranohet. Nuk ka pasur pretendim për llogaritjet e ekspertëve’, deklaroi prokurori.
Sakaq, pritet që të merret vendimi në lidhje me kërkesën e bërë nga pala mbrojtëse për aktin e ri të ekspertimi për dëmin ekonomik.