Sot, në mëngjesin e 9 shtatorit mbërriti në portin e Vlorës një nga anijet gjenerues termik (termocentral lundrues) për prodhimin e energjisë elektrike.
Anija do të vendoset në Gjirin e Vlorës, më saktësisht në portin e peshkimit të qytetit bregdetar.
Termocentrali lundrues do të lidhet më pas me rrjetin e TEC-it të Vlorës, për të furnizuar rreth 15 për qind të nevojave energjetike në vend.
Mbërritja e anijes gjeneruese termike është shoqëruar nga pakënaqësitë e ambientalistëve dhe një pjesë e sipërmarrësve turistikë të qytetit.
Sipas ambientalistëve, kjo vendosje do të ketë një kosto të lartë për ekonominë, mjedisin dhe turizmin në Vlorë.
Ambientalistët kanë nisur gjithashtu një protestë duke kërkuar edhe bashkimin e qytetarëve vlonjatë nën moton “Nuk e japim Vlorën”.
Më herët, kryedemokrati Sali Berisha shprehu shqetësimin për anijet që vijnë nga Bangladeshi, duke thënë se “do të helmojnë Vlorën”.
Kjo, pasi vihen në punë “me mazut dhe jo me gaz siç deklaron qeveria”, shtoi ai.
Ish-kryeministri e vendosi theksin edhe te çmimi i shtrenjtë prej 360 eurosh për një MWh që do të ketë energjia e prodhuar prej tyre.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku konfirmoi më 2 prill se Shqipëria do të merrte dy anije që prodhojnë energji elektrike.
Deklarata e ministres u bë gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë, ku bëri me dije se anijet do të ankorohen në Triport të Vlorës.
“Kjo është një arritje e madhe pasi do të na garantojë edhe gjatë periudhës së verës që ne të kemi një pavarësi energjetike”, nënvizonte Balluku.
Kontrata e qiramarrjes së anijeve që prodhojnë energjisë është për një periudhë 2-vjeçare dhe pritet të vihen në funksion brenda tre muajve.
Në mars të vitit 2021, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për termocentralin e Vlorës me kompaninë amerikane “ExxonMobil” dhe “Excelerate Energy”.
Kjo, për të përdorur gazin e lëngshëm (LNG) në prodhimin e energjisë elektrike.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Vlora synohet të kthehet në një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit të lëngshëm të importuar nga SHBA-të.