Një familje nga Kuçova është dhunuar e terrorizuar nga gjashtë persona. Denoncimi është bërë nga 34-vjeçari i dhunuar Arbër Liço, i cili ka deklaruar se 6 persona i kanë shkuar në banesë, secili me shkop bejsbolli dhe kanë tentuar me forcë të hyjnë brenda. Në një prononcim për Balkanweb, Liço tregon se ka mundur të mbyllë portën, por është qëlluar prej tyre me shkopa bejsbolli dhe shenjat e dhunës i ka ende në trup, edhe pse kanë kaluar 2 ditë nga ngjarja.
Sipas dëshmisë së 34-vjeçarit, pasi u larguan nga banesa, agresorët i kanë thënë “jeni të vdekur”. Vetë Liço ka ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në banesën e Arbër Liços, në lagjen “11 Janari” në Kuçovë. Pas kësaj, ai ka bërë edhe një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore Dilaver Xhaferraj.
Në kallëzimin e bërë në dt. 8.10.2021,në orën 19:30, Arbër Liço ka deklaruar se ai ka qenë duke u kthyer në Kuçovë me makinën e tij, kur në rreth-rrotullimin në hyrje të qytetit është ndaluar nga 2 persona, të cilët e kanë sharrë e kërcënuar. Ai ka dalë nga makina dhe ka njohur njërin prej tyre, që e identifikon me emrin Loni Malasi. Në deklaratën e tij, Arbri deklaron se pasi ka dalë nga makina është konfliktuar me këta shtetas, por situata është qetësuar dhe ai është larguar drejt banesën së tij.
Ai rrëfeu se vetëm 30-minuta më vonë i ka ardhur në banesë Loni Malasi me të birin dhe 4 shtetas të tjerë, të cilët nuk i njeh me emra.
“Të gjithë, kanë qenë të pajisur me shkopa bejsbolli- kanë rrahur, kanë kërcënuar e terrorizuar prindërit dhe nipin vetëm 4 vjeç si dhe kanë tentuar të më hyjnë me forcë në banesë. Është e turpshme që policia e shtetit t’i shoqërojë personat që më dhunuar e kërcënuan familjen dhe më pas t’i lërë të lirë dhe për personat e tjerë që ishin me dy shtetasit që unë kam identifikuar të deklarojë se nuk i gjen dot. Personat janë të lirë dhe jeta e familjes sime është rrezik, prindërit e mi kanë frikë të dalin jashtë.
Unë jetoj në Tiranë dhe pas kësaj që ndodhi kam frikë t’i lë prindërit vetëm e të largohem. Nuk kam pasur asnjëherë konflikte me askënd dhe nuk e kuptoj pse ka ndodhur e gjithë kjo ngjarje. Unë kërkoj që policia të me mbrojë familjen dhe të përgjigjen para ligjit agresorët që më dhunuar e kërcënuan me jetë mua dhe familjen time, persona që policia i shoqëroi vetëm 2-orë dhe i la të lirë,”- tregon 34-vjeçari Liço.