Për herë të parë, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, prek sot tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri në 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.
E gjithë Tirana po përgatitet për këtë vizitë historike. Pritet nga momenti në moment avioni të zbresë në aeroportin e Rinasit ku ndodhet dhe kryeministri Rama.
mEDIA Informon se ka një prani të madhe të forcave të policisë rrugore të cilat përpiqen të menaxhojnë qarkullimin rrugor.
Vihet re prani e forcave shqiponja pranë aeroportit që pritet ë shoqërojnë eskortën e presidentit Clinton.
Ndëkohë Tirana është veshur me ngjyrat e flamurit amerikan. Rrugët kryesore ku do të kalojë dhe eskorta që do të shoqërojë Klintonin janë zbukuruar me flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nesër festojnë dhe Ditën e Pavarësisë.
Ceremonia zyrtare
Në orën 18:00 Clinton do të jetë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pas një takimi me kabinetin qeveritar do të nisë ceremonia zyrtare ku janë ftuar të marrin pjesë dhe qytetarët.
Clinton do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike” dhe më pas do të mbajë një fjalim. Kjo është vizita e parë e presidentit të 42 të SHBA në Shqipëri.
Vizitën e Clinton, që njihet edhe si president nderi për shqiptarët, për vetë ndikimin pozitiv që ka mbajtur për Shqipërinë e Kosovën, është përshëndetur nga e gjithë politika shqiptare.
Bill Clinton gjatë kohës së mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK.
Vizita e Klinton vjen në një moment tensionesh në rajon, kryesisht në Veri të Kosovës.
Rrugët që do të bllokohen në kuadër të vizitës së ish presidentit amerikan:
Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.
Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.