Frrok Çupi/

Po të kishte, nuk do të kishim synuar Akropolisin e Athinës. Se nuk do të na kishte hyrë në “urinë” tonë urbane dhe estetike. Kryetari i qeverisë do të kishte gjetur një figurë tjetër “të lartë” për të sulmuar me retorikë Greqinë e sotme të dobësuar nga kriza… (Figura e “e lartë” e luftës me fjalë lidhet edhe me emrin “Akropolis” do të thotë “Mbi Qytet”). Po ta kishim këtu në Tiranë citadelën e lashtësisë,  diktatori Hoxha nuk do t’i kishte “rrëqethur” grekët duke iu thënë se “ne nuk duam t’ia dimë; Tiranën e kemi mbi tulla, por Akropolisin e keni prej mermeri”. Domethënë do t’ua shembte(!). Edhe tani kryeministri iu tha thuajse njësoj: Një herë ua ka mbrojtur “shqiptari Gjergj Dushmani…”- tha,  që donte të thoshte “po tani kush do tua mbrojë” (!). Prapë ta shembnim Akropolisin ne shqiptarët fqinjë?!

Me Akropolis filloi kësaj here trimëria e qeverisë shqiptare ndaj Athinës. Tensioni mbeti lart mes qeverive dhe nuk u ndje “në tokë”, domethënë te dy popujt; sepse nuk ka ndonjë arsye për grindje. Po cila mund të ishte marrëzia që të sulmojmë Greqinë dhe t’u “shembim” Panteonin e Zotave!?

Për të ardhur te kjo pyetje- për këtë e përdora edhe alegorinë “a kemi Akropolis në Tiranë?”. Se po të kishim, atëherë do të kishim edhe arsye konflikti, të paktën për xhelozi të “citadelës lart mbi qytet”

Politika e Shqipërisë me fqinjët, kaq primitive pas Luftës së Dytë Botërore, gjithnjë i ka ardhur rrotull lartësisë së tjetrit. Për shumë arsye: O për shkak të kompleksit të inferioritetit, o për shkak se politika jonë ka shërbyer ndaj një të treti, një të katërti…, por jo aq për interesat e kombit; duke hyrë në konflikt me fqinjin. Nuk ka murtajë më të rëndë se kjo që e ka zënë politikën tonë të jashtme: I vjen rrotull çdo “akropoli”, duke u nisur nga ky i Athinës, te “Kështjella e Bardhë”në Beograd, te “kishat e Kremlinit”, te “Pallati Topkapi” në Stamboll, etj. Pse hyri në konflikt diktatori komunist me “Kështjellën e Bardhë”? Për shkak të kishave brenda në Kremlin…. Po me Kremlinin? Për shkak të Sheshit të Madh të Dinastisë Ji dhe Yan në Pekin…

Po kësaj here pse e kërcënuam Akropolin?

Politika e qeverisë shqiptare ka një vullnet kaq të ekzagjeruar saqë është gati të bëjë lojën e çuditshme “të të tretit”.

Pse iu kthyem Athinës?

1.

Popullsia çame brenda në Shqipëri, si dhe politika e saj brenda në Kuvend, sigurisht që nuk e honepsi shantazhin se ‘Akropolin po e shembim për ju’. Ata nuk e duan këtë; as e marrin si “kokërr ulliri”. Shpata e kryeministrit vringëlloi mbi koka grekësh me qëllim që të fuste në dorë partinë dhe deputetët e Çamërisë. Puna ishte se i duhej të shporrte aleatin Ilir Meta të LSI dhe t’a zëvendësonte me “mbretëreshën” Çamëri që i kishte dhuruar Akropolin. Natyrisht, të tre këta elementë, janë tanët; ndërsa kriza nuk është etnikisht jona. Qeveria, duke krijuar tension nacionalist, kishte siguruar një mbulesë të ngrohtë për krizën e gjithanshme që ka kapur vendin. Në asnjë rast kur politika e këtushme ka hapur konflikt me fqinjët, konflikti nuk ka qenë organik; dmth., që të shërbente pjesë kombin tonë. Si në periudhën e diktaturës kur konflikti me Beogradin nuk bazohej në çështjen “Kosovë”, as sot dashuria për Beogradin nuk i jep asnjë të mirë Kosovës; përkundrazi. Kjo është që t’i vish rrotull “kështjellës së bardhë” për interesa jo të kombit. Edhe për ambicie personale, njësoj është- jo kombi.

2.

Rreth Akropolit kësaj here vërtitej hija e Stambollit, por me emër shqiptar. Vëzhgimet e shumta në Perëndim e kanë parë këtë tension si një shërbesë ndaj Erdogan të Turqisë. Me sa duket ne i jemi borxhli Erdoganit, përderisa kryeministri tha me zë të lartë në publik: “faleminderit Erdogan!”. Nuk është e thjeshtë kjo; dhe, bota diplomatike e ka analizuar. Me çfarë lahet borxhi? Me një ardhje rreth Akropolit për hesap të Erdoganit. Këtij i nevojitet mjaft një konflikt në Ballkan, sidomos me Athinën. Siç iu desh “grushti i shtetit” i 15 korrikut. Fillimisht i nevojitet sepse  përmes konfliktit tek të tretët,  tërhiqet vëmendja e Botës nga Ankaraja dhe nga një milionë refugjatë; nga metodat e dhunshme mbi gazetarë e gjykatës, nga konflikti me Kurdët dhe Armenët… Ky është shërbimi. Erdogan e ka edhe me BE që përsëri nguli këmbë të mos negociojë për pranimin e Turqisë… Por kryeministri shqiptar nuk ka thënë nëse  fitojmë gjë për Shqipërinë. Sigurisht, me konflikt nuk fitohet gjë.

3.

Nëse do të pyeteshin këshilltarët e qeverisë për politikë të jashtme, mund ta thonë më mirë  nëse kryeministri bëri humor, apo vërtet e ndjeu veten se mund të luajë në oborrin e të mëdhenjve të Evropës. Veç një i mbetur pa angazhim, ose i përkëdhelur pa vlerë, mund t’i ofrohej, për shembull, politikës së kancelares Merkel për të turbulluar ujëra me Athinën. Jo thjesht pse zonja Merkel e Gjermanisë nuk është e mirëpritur në Athinë. Por sepse në politikat e saj të fundit për të prirë karvanin e “liberalëve europianë” (që me sa duket po fundoset), është fokusuar në Ballkanin Perëndimor me idenë se “këtu do të jenë muret e Imperatorisë” së saj. Në këtë plan nuk bëjnë pjesë as Greqia, as ndonjë shtet tjetër më në Lindje, vetëm tre “çunat” e Ballkanit Perëndimor. Servilizmi i qeverisë sonë është shumë i parakohshëm. Bota po pret akse të reja, marrëdhënie të reja, zhvillime të reja. Por edhe sikur… nuk sulmohen fqinjët për arsye të të tretit…

… Po të kishim Akropolis në Tiranë, mund të mos u kishte hyrë në gjak kjo e keqe degraduese. Por me këtë politikë: Shërbesë “për tjetrin”, jo për vete!, edhe sikur ta kishim pasur, nuk do ta kishim Akropolisin sot. Politika këtu është e paqëndrueshme; politika nuk i bëri çerdhe as Panteon qytetërimit të lashtë të kombit. Ja ku kemi qytetin tonë, që nuk ka as “më lart”, as “më poshtë”. Këtë qytet që është sot, e kanë ndërtuar duart e këtyre personave që i vijnë rrotull Akropolisit në Athinë. Ky qytet është si një “konvikt” i madh ku banojnë rezidentë të përkohshëm. Ja, si politika qeveritare, që zgjohet natën dhe niset për t’i ardhur rrotull dikujt tjetër…

 

/Veritas.com.al/