Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 27-vjeçare është vetëvrarë duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i kanë publikuar fotot intime në rrjetet sociale. Një ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë ngjarja merr një tjetër kthesë. Sipas policisë, e reja i ka dhënë fund jetës për shkak të fotos që i është publikuar në rrjetet sociale.
Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton intime vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera, si në grupe Telegrami.
“Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën”, njofton policia.
Report Tv dhe Shqiptarja.com mëson se e reja ishte në proces divorci me bashkëshortin shqiptar të Kosovës, me të cilin ka edhe një vajzë 2 vjeçe, dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun. Gjatë kohës së njohjes mes tyre ai i ka bërë foto intime gruas dhe më pas ia ka publikuar në Tik-Tok. Ajo i kërkonte të hiqte foton, por ky herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.
Rasti bëhet edhe më i rëndë, kur Altin Çoku dilte më zë e figurë duke realizuar video live në TikTok, në të cilat fliste për foton e publikuar të vajzës në rrjetet sociale. Në këtë video ai pretendon se foton e ka publikuar një shok i tij dhe jo ai vetë. Burime bëjnë me dije se 39-vjeçarika publikuar foto te ngjashme intime edhe kohë më parë dhe po hetohet edhe për një rast tjetër në Laç.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 10 shkurt, në rrugën “Teuta” në Kamëz. 27-vjeçarja nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra dhe ka humbur jetën në spital.