Shembja e një banese pa pajtimin e pronarit ka çuar në plagosjen rëndë të inspektorit të IMT-së, pasditen e të premtes në Tiranë. Bëhet fjalë për 55-vjeçarin Ilirjan Gavelli, i cili u plagos me një plumb në bark nga 52-vjeçari Qani Muça, menjëherë pasi IMT ekzekutoi vendimin për shembjen e banesës. Ilirjan Gavelli u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet në trajtim intensiv por jashtë rrezikut për jetën.
Autori u arrestua në vend nga policia dhe mësohet që në momentin që kreu plagosjen ka qenë i dehur. Për këtë, akuza që rëndon ndaj tij është “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”. Qani Muça kishte edhe precedentë të mëparshëm penal pasi në vitin 2017 është arrestuar për dhunë në familje. Arma e përdorur, është sekuestruar nga policia.