Ish kryeministri i Britanisë së Madhe, laburisti Tony Blair, nuk do të jetë më këshilltar as i kryeministrit Rama dhe as i presidentit Nazarbayev të Kazakistanit. Kështu shkruan sot gazeta “Shekulli”, gazetë e njohur si shumë afër qeverisë. Njoftimin e ka dhënë zyra e “Blair Association”, sipas gazetës.
Toni Blair, i ndodhur nën kritika të ashpra për fitime të pajustifikuara dhe mbi fillimin pa shkak të Luftës në Irak në vitin 2003, ka vendosur të mbyllë kompaninë e tij të konsulencës. Konsulencën mbi qeveritë e “botës së tretë” dhe mbi kompanitë shumëkombëshe, sidomos në Lindjen e Mesme, e nisi si biznes privat menjëherë sapo la detyrën e kryeministrit në Britaninë e Madhe.
Blair që ka punuar si konsulent për qeverinë shqiptare që në ditët e para të kësaj qeverie, është kritikuaar për ofrimin e këshillave ndaj regjimit të Kazakistanit. Është kritikuar ndërkombëtarisht, sidomos për këshillat se si qeveria autoritare e Nazarbayev të justifikonte masakrën e forcave të sigurisë mbi popullsinë civile.
Blair ishte një këshilltar edhe për qeverinë e Aleksandër Vucic në Serbi.
Këshillat ndaj qeverisë shqiptare i filloi menjëherë me krijimin e qeverisë në shtator 2013, por kishte hapur dyert e një vizite të Ramës në Amerikë që në gusht të atij viti.
Imazhi i Blair në Britaninë e madhe është përkeqësuar shumë, i shkaktuar sidomos nga lufta e pa argument mbi Irak në vitin 2003 dhe nga fitimet e tij kolosale e të pajustifikuara. Pasuria e tij llogaritet në 80 milionë paund, ose më shumë se 100 milionë dollarë.