Kreu i PD-së, Lulzim Basha, pasi doli nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku dëshmoi për 1 orë e 30 minuta, tha se iu ka dorëzuar më shumë prova prokurorëve belgë, nga ato që kanë dalë në publik në lidhje me çështjen e “Toyota Yaris”, për të cilën akuzon kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën.

“Dëshmia është dhe do të mbetet në kuadër të rregullave të drejtësisë shqiptare dhe atyre belge. Dhashë informacione të plota, më shumë se ato që kam dhënë në publik”,- u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u pyet për çështjen e Toyota Yaris.

Bëhet me dije se gjatë dëshmisë së liderit demokrat në Prokurori, do të jenë prezentë edhe prokurorë belgë.

Lulzim Basha ka akuzuar publikisht se për futjen e 3.4 milionë eurove në automjetin e “Toyota Yaris”, është i përfshirë deputeti Taulant Balla, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. Si pasojë e kësaj, kreu i PD është thërritur në Prokurori për nxjerrje të sekretit hetimor.

Më 23 tetor 2018, Basha u shpreh se Prokuroria kishte kërkuar dëshminë e tij  për nxjerrjen e sekretit shtetëror për sa i përket futjes së parave të krimit me “Toyota Yaris”. Ky veprim sipas tij dëshmon se deklaratat publike për përfshirjen e Taulant Ballës në këtë çështje janë të vërteta.

Më tej, Basha do të shtonte se në këtë çështje “janë të përfshirë edhe Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja”. “Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës, por e kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës, prokuroria po i kalon lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror”, tha atë kohë Basha.

Veritas.com.al/