Tragjedia e fundosjes të Mërkurën të një peshkarexhe me emigrantë nga Afrika dhe Azia po rezulton më e rëndë nga ç’mendohej.

Numri i trupave të pajetë që u gjetën pranë brigjeve të Peloponezit ka arritur në 78. Akoma më të rënda janë dyshimet se në bordin e peshkarexhës mund të ketë pasur deri në 100 fëmijë, një pjesë e madhe e të cilëve ende nuk janë gjetur dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë reduktohet mundësia që ata të gjenden të gjallë.

Praninë e kaq shumë fëmijëve e kanë bërë të ditur emigrantët e shpëtuar deri më tani. Përllogaritet që në peshkarexhë të kenë qenë 750 emigrantë.

Ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punën për gjetjen të mbijetuarve të tjerë. Peshkarexha e nisur nga Libia me destinacion Italinë, u fundos të Merkurën në det të hapur 80 kilometra larg brigjeve të qytezës greke Pilos. Kjo është tragjedia me më shumë viktima këtë vit në ujërat e Mesdheut.