Gjobiten Sonila Meço, Artur Zheji dhe Dritan Hila të Ora News dhe emisionet e tyre me 10 milion lekë të vjetra nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor. Kjo pasi kanë patur më shumë se dy persona të ftuar në studio.

Vetëm Meço ka reaguar duke sjellë shembuj të kolegëve të saj në botë, ndërsa shton se dikur i mbyllën transmetimin fare.

‘Dakord! Gjobë se jemi tre persona në studio dhe jo dy, sipas rregullores së qeverisë- shkruan Meço

Qeveri që ka shtyrë gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore deri në datë 23 qershor, mbi 30 ditë në mënyrë antikushtetuese. Unë kam shkelur rregullin me një njeri për tre orë, qeveria me të gjithë shqiptarët për 30 ditë.

Gjobë 10.000.000 lekë të vjetra, për të mbushur arkën e një shteti, që mbylli arbitrarisht 5 vjet më parë edhe një televizion, duke hedhur 500 punonjës në rrugë, që u dënua me qindra miliona euro nga gjykatat ndërkombëtare për shpronësimin anti- ligjor dhe refuzon të paguajë në mënyrë antiligjore.

Gjobë pa paralajmërim, megjithëse me kolegë të televizioneve të tjera autoritetet vepruan kësisoj më herët. Pra shkeli qeveria rregullin në rastin e parë duke mos vendosur gjobë, por thjesht paralajmërim? Apo në të dytin duke vendosur gjobë pa paralajmërim?

Gjobë, ndërsa bëjmë detyrën për të informuar publikun edhe mbi masat jo ligjore dhe antikushtetuese të autoriteteve. P.sh a ka mundësi të na shpjegojë qeveria mbi çfarë argumentimi shkencor ka vendosur të ketë vetëm dy persona në studio televizive? Megjithëse në respektim të distancave dhe masave mbrojtëse? Kur në institucione brenda një zyre shumë herë më të vogël gjenden më shumë se dy persona? Në parukeri, fasoneri, dyqane e qendra tregtare?…, vazhdon Meço, duke bërë avokaturën e vet.

VERITAS.COM.AL/