Qyteti i Shkodrës është tronditur nga një tjetër atentat, është vrarë një 19-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 në bulevardin “Bujar Bishanaku”.
Sipas të dhënave të policisë, viktima është identifikuar si Erjon Xhenja, një i ri 19-vjeçar. Mësohet se ai ka qenë i ulur në një lokal, por ndaj tij është hapur zjarr me pistoletë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhjetra gëzhoja plumbash. Autorët dyshohet se janë dy dhe ata kanë qenë duke udhëtuar me motor. Pasi kanë kryer atentatin, ata janë larguar nëpër rrugicat e qytetit të Shkodrës. Forcat RENEA dhe FNSH kanë blinduar qytetin, ndërkohë janë shoqëruar disa të rinj që ishin në lokal. Më pas u zbulua një motor i djegur në lagjen “Guerrile”, bashkë me një pistoletë. Dyshohet se mjeti dhe arma janë përdorur në atentat.
“Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë. Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve“, njoftoi policia.
Deri më tani rezulton se 19-vjeçari nuk ka rekorde kriminale, por fisi Xhenja është i njohur në qytetin e Shkodrës. Mësohet se 19-vjeçari është i afërm me Sehar Xhenjan, i cili u arrestua në vitin 2018 si autor i sulmit ndaj trajnerit Ernest Gjoka, i cili u dhunua fizikisht. Ndërkohë një vit më parë Sehar Xhenja u akuzua si i përfshirë në një atentat, ku u qëllua ndaj shtetasit Taulant Pepaj. Ai u shpall në kërkim, por në një reagim për mediat e mohoi që të kishte gisht.
Kjo është ngjarja e radhës që trondit Shkodrën. Pak ditë më parë u vra Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores. Ky i fundit akuzohet si i përfshirë në atentatin ndaj Alban Bruçit.