Donald Trump u prit me tapet të kuq dhe ceremoni zyrtare madhështore pas mbërritjes në Pekin.

Presidenti amerikan zbriti nga avioni presidencial “Air Force One” rreth orës 19:50 me orën lokale (07:50 ET), ndërsa një tapet i kuq e shoqëroi deri te autokolona zyrtare.

Garda e nderit u rreshtua në të dy anët e pistës, ndërsa qindra të rinj kinezë valëvitnin flamujt kombëtarë dhe brohorisnin për ardhjen e tij. Një bandë ushtarake interpretoi muzikë ceremoniale gjatë pritjes zyrtare.

Teksa zbriste shkallët e avionit, Trump bëri edhe një gjest karakteristik me grusht në ajër në ritmin e muzikës, përpara se të vazhdonte drejt ceremonisë së mirëseardhjes.

Presidenti amerikan shoqërohej nga djali i tij Eric Trump dhe nusja Lara Trump, si edhe nga Elon Musk, Marco Rubio dhe Pete Hegseth.

Trump u prit nga zëvendëspresidenti kinez Han Zheng, ambasadori amerikan në Kinë David Perdue, ambasadori kinez Xie Feng dhe zv.ministri i Jashtëm Ma Zhaoxu.

Ky është udhëtimi i parë në Kinë i Trump si president amerikan në gati një dekadë, ndërsa kërkon të rikthejë ndikimin dhe prestigjin e SHBA-së në arenën ndërkombëtare pas tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Vizita dyditore zhvillohet në një moment delikat për administratën amerikane, ndërsa lufta në Iran ka hyrë në muajin e tretë dhe tensionet në Gjirin Persik vazhdojnë të mbeten të larta. Konflikti pritet të ndikojë në atmosferën e bisedimeve mes dy liderëve, sidomos për shkak të rolit që Kina luan si partneri më i madh ekonomik i Iranit.

Vizita konsiderohet me rëndësi të lartë diplomatike dhe po ndiqet me interes të madh ndërkombëtar.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *