Tuneli i Llogarasë do të hapet në qershor të këtij viti. Lajmi është bërë me dije nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo tha se ky është një premtim i mbajtur i qeverisë, duke e cilësuar si një ndër veprat më të mëdha infrastrukturore.
“Një tunel që ka qenë një ëndërr në sirtar për shumë qeveri shqiptare, por që u realizua nga qeveria Rama, që ka nisur atëherë kur duhej, pikërisht në nëntor të vitit 2021 dhe do të përfundojë siç kemi premtuar, pavarësisht një kontrate 36-mujore, ne kemi premtuar që do të hapet në fillim të sezonit veror 2024 dhe ashtu do të ndodhë. Më 30 qershor 2024 vepra do të dorëzohet, sipas të gjitha parametrave të parashikuara”, tha ajo.
Zv/kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dha këtë njoftim teksa bëri një analizë vjetore të dikasterit që ajo drejton.