Një gangster shqiptar që ishte dëbuar nga Britania për shkak se kishte qëlluar me armë zjarri gjashtë herë një rival në një tentim-vrasje gjakftohtë në vendlindjen e tij, është kthyer në Britani të Madhe dhe ka hapur një autolarje, ka zbuluar “Mail on Sunday”.

Riza Vatoci, 49-vjeç, është zbuluar në biznesin e tij në Bognor Regis, Sussexin Perëndimor, javën e kaluar nga kjo gazetë, transmeton Koha.net.

Gazetari i kësaj gazete e ka parë atë duke arritur me një veturë “Jaguar” të zezë dhe duke i mbikëqyrur katër punëtorë teksa pastrojnë veturat.

Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe ka thënë se “do të ndërmarr hapa të menjëhershëm” duke ia marrë Vatovcit shtetësinë.

I arrestuar në Shqipëri më 1996 për tentim-vrasje, që besohet të ketë qenë si hakmarrje për vdekjen e vëllait të tij, ai kishte ikur pas pesë muajsh qëndrimi në burg dhe më 1998 ishte dënuar në mungesë me 15 vjet burgim.

Me të arritur në Britani të Madhe më 1999, ai kishte pretenduar të jetë refugjat nga Kosova, kisha kërkuar azil dhe më në fund i ishte lejuar qëndrimi.

Më 2006 i ishte dhënë shtetësia britanike, ndërsa besohet të ketë përfituar mijëra funte nga beneficionet.

Por pasi Interpoli lëshoi një urdhër-arrest, Vatoci u arrestua. Ai ndërmori një betejë të kushtueshme ligjore, duke thënë se të drejtat e tij të njeriut do t’i shkeleshin nëse do të kthehej në Shqipëri.

Ai ishte dëbuar më 2012 por ishte liruar nga burgu pas dy muajsh në Shqipëri, pasi kishte argumentuar me sukses se dënimi nuk mund të aplikohet më në bazë të ligjit shqiptar.

Vatoci, që ende mban pasaportë britanike, është kthyer në Britani të Madhe ku ka regjistruar kompani nën emrin e tij.

Por pasi ministria e Shtetit i ka njoftuar autoritetet, zyrtarë të ministrisë së Brendshme kanë nisur “të ndërmarrin hapa të menjëhershëm” për t’ia marrë shtetësinë britanike Vatocit, mbi bazën se ka pretenduar rrejshëm se është refugjat nga Kosova.

Vatoci mësohet se jeton me bashkëshorten dhe fëmijët ndërsa drejton autolarjen “Express” në Bognor Regis.

VERITAS.COM.AL