Uashingtoni ka shkaktuar reagime të forta në kryeqytetet europiane pas publikimit të dokumentit të ri të strategjisë amerikane të sigurisë kombëtare, ku kërkohet që Europa të marrë plotësisht mbi vete barrën e mbrojtjes deri në vitin 2027. Kërkesa është cilësuar në BE si “krejtësisht jorealiste”, ndërsa përshkrimi i BE-së në raportin amerikan si një kontinent në “rënie” është vlerësuar nga shumë kryeqytete si “fyes dhe i rrezikshëm”.
Komisioni Europian zgjodhi një ton të përmbajtur. Një zëdhënëse e institucionit deklaroi se Komisioni “sapo ka marrë dijeni për publikimin e raportit” dhe se “do të shprehet zyrtarisht sapo dokumenti të shqyrtohet”.
Reagimi më i menjëhershëm erdhi nga Berlini. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se tema të tilla si liria e shprehjes dhe funksionimi i shoqërive të lira “nuk mund të diskutohen nga Uashingtoni”.
“Askush nuk ka pse të na japë këshilla për çështje që rregullohen qartë nga kushtetutat tona”, u shpreh ai.
Edhe rrethet pranë presidentit francez Emmanuel Macron reaguan ashpër, duke shprehur “shqetësim të thellë” për deklaratat e administratës amerikane. Grupi i tij politik në Parlamentin Europian, Renew Europe, kritikoi dokumentin duke thënë se ai “dobëson unitetin perëndimor përballë agresionit rus” dhe “shpërfill sakrificat që Europa bën çdo ditë për mbrojtjen e sigurisë demokratike”.
Valérie Hayer, kryetare e Renew, e cila sapo është kthyer nga një vizitë në Uashington, deklaroi se ka vënë re “një hendek të madh mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve amerikanë”. Sipas saj, “presidenti Trump po izolohet nga ekspertët e tij dhe mbështetet te një rreth i ngushtë këshilltarësh”.
Komente