Shijaku është qyteti i parë në të cilën ka zbritur në terren ushtria për pastrimin e inerteve të ndërtesave të shembura si pasojë e dëmeve që morën nga tërmeti i 26 nëntorit. Një vendim i tillë ka ardhur me qëllim përshpejtimin pastrimit të zonës, në një kohë që puna u pezullua për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

I pranishëm në këtë operacion ka qenë kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka dhe kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se brenda qershorit të do nis puna për shembjen e banesave private, e ndërsa ka bërë me dije se këtë javë nis çelja fondeve të dëmshpërblimit për familjet me dëmtime të riparueshme të shtëpive.

“Në fund qershorit fillojmë ndërhyrjen te shtëpitë individuale! Është një volum gjigant, por do e mbështesim ministrinë e mbrojtjes në këtë proces. Jemi në afatet të mira, dhe pse nga kjo periudhë koronavirusi na dëmtoi. Brenda disa muaj në këtë zonë do të shohin kantierin dhe transformimi do të jetë kolosal. Këtë javë qeveria nis çeljen fondeve të dëmshpërblimit për familjet me dëmtime të riparueshme të shtëpive, të cilat do të mbështeten nga qeveria dhe nga ana tjetër, lidhen kontratat e para të Rindërtimit të Shkollave, për të vijuar gjatë gjithë qershorit me kontratat e investimeve në infrastrukturën e zonave të dëmtuara, si edhe për Rindërtimin e Banesave Individuale.

Një shumë e konsiderueshme dhe besoj që jo vetëm mbulon nevojat, po i mbulon mirë. Në total vetëm për xhepin e qytetarëve të dëmtuar shkon në 70 mln dollarë, tjetër histori për ata që e kanë shtëpitë të pariparueshme “, tha Rama, teksa bëri batutë duke thënë se e vetmja gjë që nuk financojnë dot është durimi.

Nga ana tjetër, ministrja Olta Xhaçka u shpreh se ushtria do të punojë me kapacitet të plotë për të përfunduar në kohë rekord pastrimin e këtyre hapësirave nga inertet.

“Kemi punuar me kapacitet të plotë që të shpresojmë me ritëm të kemi mundësi që t’i pastrojmë në kohë rekord”, tha Xhaçka. Në total në Shijak janë shembur 16 pallate.

VERITAS.COM.AL/