1.Christina Vasak, ambasadore e Francës në Shqipëri, në një intervistë ekskluzive për ABC News shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në majë të piramidës gjyqësore dhe në çdo sistem gjyqësor. Sipas saj është një boshllëk në sistemin gjyqësor shqiptar që duhet mbushur shpejt.

2.Vasak mendon se Komisioni i Venecias mund të ndërhyjë sërish për të këshilluar autoritetet shqiptare për ngërçin kushtetues ku ndodhet vendi.

3.Gjatë intervistës diplomatja franceze merr në mbrojtje edhe ambasadorin e OSBE Bernd Borchard, të cilin presidenti Meta e ka shpallur të padëshirueshëm.

4.Ambasadorja flet për akuzat ndaj trupit diplomatik, mosmarrëveshjet e Francës me Gjermaninë për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, dhe tregon për herë të parë për kameran tonë një dhuratë të posaçme që Federata Franceze e Futbollit i ka bërë Shqipërisë me rastin e 75 vjetorit të çlirimit.

Intervista

Zonja ambasadore përshëndetje. Cili është komenti juaj për çfarë po ndodh me plotësimin e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri?

Përshëndetje juve. Ju faleminderit. Kishim thënë prej disa kohësh që duhet të ritakoheshim për të diskutuar për shumë gjëra. Ju më bëni një pyetje delikate për situatën e brendshme politike në Shqipëri. Nuk i takon një diplomati të huaj të komentojë situatën politike në Shqipëri. Situata sigurisht është delikate dhe sidomos shqetësuese, sepse Gjykata Kushtetuese për momentin nuk ekziston. Mirëpo Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në majë të piramidës gjyqësore dhe në çdo sistem gjyqësor Gjykata Kushtetuese ka një rol absolutisht kyç. Pra është një boshllëk në sistemin gjyqësor shqiptar që duhet mbushur shpejt.

-A jeni ju për ndërhyrjen e komisionit të Venecias për zgjidhjen e kësaj krize?

Doja fillimisht të sillja në vëmendje çfarë është Komisioni i Venecias. Ju falënderoj për pyetjen. Komisioni i Venecias vepron në kuadër dhe nën kujdesin e Këshillit të Europës. Pas Këshillit të Rihnit, Këshilli i Europës është organizata më e vjetër europiane. Dhe ne në Francë jemi të nderuar që kemi selinë e tij në Strasburg, qytet i madh evropian. Pra Komisioni i Venecias nuk është i panjohur për ne, nuk është i panjohur për askënd nga vendet anëtare të Këshillit të Europës, përfshi Shqipërinë. Mendoj se ky është një vendim që u takon autoriteteve shqiptare ta marrin. Komisioni i Venecias është organ konsultues. Organet konsultuese kanë rëndësi të madhe. Mund të peshojnë, duke hedhur dritë mbi një gjykim, mbi një qëndrim. Pra Komisioni i Venecias ka një rol për të luajtur. Ka ndodhur më parë në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit perëndimor, kam parasysh Bosnjë dhe Hercegovinën. Komisioni i Venecias ka ardhur disa herë në Shqipëri. Pra nuk do të kishte asgjë të jashtëzakonshme që të vijë edhe njëherë tjetër. Por, është organ konsultues. Dhe një organ konsultues punon me etapa. Është ai që përcakton mënyrën si do të punojë, që vlerëson situatën, që shkokoleps çështjen, – nëse ma lejoni këtë shprehje, – e analizon në detaje dhe konsultohet. Dhe në vijim, redakton një projekt-raport. Kam qenë personalisht e tronditur si mjaft të tjerë në Shqipëri dhe jashtë saj, – dhe tani po ju flas si juriste, – se si një projekt-raport u bë publik. Nuk duhet të kishte ndodhur. Pra ka pasur rrjedhje të organizuara, nuk e di prej kujt, nuk di pse dhe si, dhe preferoj të mos e di, por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që t’i kërkohet mendim Komisionit të Venecias. Por vendimi i takon autoriteteve shqiptare. Komisioni i Venecias është organ shumë i rëndësishëm dhe një organ jashtëzakonisht i respektuar.

-Presidenti Meta në disa raste ka ftuar diplomatët e huaj që ta lexojnë Kushtetutën e Shqipërisë saktë, drejt, jo në anglisht, në një version ndoshta të përkthyer jo korrekt. A keni ju si ambasadë specialistë të së drejtës, të brendshëm ose të jashtëm, që t’ju shpjegojnë nga pikëpamja ligjore se çfarë parashikon konkretisht Kushtetuta e Shqipërisë, për të kuptuar më mirë çështjen konkrete të fërkimeve mes Presidentit dhe mazhorancës?

Ju falenderoj që më pyesni edhe për këtë. Ne, si çdo mision diplomatik këtu në Shqipëri, e njohim kuadrin ligjor në fuqi dhe interesohemi për të. Po, ne kemi… ne jemi disa juristë këtu në ambasadën e Francës, e po ashtu edhe në misione të tjera diplomatike. Dhe, – po jua konfirmoj, – ne kemi një version anglisht të Kushtetutës së Shqipërisë. Unë nuk kam parë ndonjë version në frëngjisht, por kemi gjithashtu edhe një version shqip, që unë vetë e kam blerë në Panairin e Librit një vit më parë. Na ndodh me disa prej kolegëve, veçanërisht me atasheun tonë të shtypit dhe përkthyesin e ambasadës që të bëjmë një lexim të kryqëzuar. Por pasja e tekstit në shqip dhe anglisht nuk na autorizon neve, akoma më pak nuk na përligj të bëjmë interpretime të Kushtetutës. Ky është një rol që i takon organeve kompetente. Pra, nuk i takon një misioni diplomatik ta bëjë këtë.

– E qartë, por ju pyeta sepse dua të di cili është mendimi juaj, këto janë mosmarrëveshje të një natyre politike, apo sepse reforma në drejtësi, që u miratua edhe nën kujdesin e BE, thjesht është e koklavitur? Apo të dyja bashkë?

Atëherë, gjithçka është e komplikuar, gjithçka është politike në një farë mënyre. Por po ju kujtoj, – dhe është rasti të theksohet, – se Kushtetuta e Shqipërisë u miratua nga organet kompetente dhe nuk u imponua nga komuniteti ndërkombëtar. Pati një inkurajim, një nxitje. Pse? Sepse Shqipëria ka vokacion për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, njësoj si vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Por nuk mund të themi se pati një lloj imponimi të Kushtetutës nga komuniteti ndërkombëtar, BE dhe Shtetet e Bashkuara. Pra organet kompetente në vend kanë një rol madhor për të luajtur. Jam dakord në një pikë, që situata politike është e vështirë për t’u ndjekur, për t’u zbërthyer. Dhe sinqerisht, edhe ne, diplomatët francezë dhe jo vetëm, që jetojmë këtu, ndonjëherë e kemi pak të vështirë për të ndjekur fillin, pavarësisht kontakteve të shumta që kemi si ambasadë e Francës, por edhe misionet e tjera diplomatike, me qeverinë, opozitën, palë të ndryshme, dhe, të mos harrojmë, edhe me shoqërinë civile. Kemi një telenovelë të Gjykatës Kushtetuese, për t’u rikthyer te pyetja juaj.

– Në leximin tuaj të aktualitetit politik, a po tenton kryeministri Rama të kapë Gjykatën Kushtetuese? Kryeministri, kujtoj, tha në Parlament se qëndrimet e mazhorancës janë të rakorduara me ato të SHBA dhe të BE. A jeni konsultuar ju si ambasadë e Francës për çështjen e Gjykatës Kushtetuese? Dhe nëse po, për çfarë konkretisht?

Nuk jemi konsultuar. Dhe mendoj që s’ka pse. Ne këtu e dimë qëndrimin e qeverisë, po ashtu siç njohim edhe këndvështrimin e opozitës. Njohim edhe qëndrimin e Presidentit të Republikës, që e ka shprehur publikisht, apo ia ka parashtruar disave prej nesh. Kemi parë po ashtu edhe çfarë tha zoti Basha, kryetar i Partisë Demokratike, në Shqipëri, por edhe në Zagreb, në samitin e Partive Popullore Europiane. Pra, janë qëndrime që i dimë. Nuk na takon neve, nuk është në të vërtetë roli ynë të shprehemi nëse Gjykata Kushtetuese është e kapur. Ajo që dua t’ju them sot është se kjo Gjykatë Kushtetuse është thelbësore. Dhe tani nuk po flas vetëm si diplomate, por si juriste që jam. Nuk mund të ekzistojë një sistem gjyqësor i plotë, pa një organ gjyqësor në majë. Dhe ky organ gjyqësor është Gjykata Kushtetuese. Fakti që Gjykata Kushtetuese nuk ekziston, që nuk ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për t’u mbledhur, është një problem i vërtetë dhe një problem që i duhet dhënë zgjidhje. Ka pasur një progres të lehtë, por duhet vërtet që kjo gjykatë të ngrihet dhe të funksionojë, sepse ka shumë çështje për të trajtuar dhe disa çështje janë veçanërisht të ndjeshme.

-Për këtë bien dakord edhe shqiptarët, vetëm se nuk bien dakord mënyrën se si ta ngrejnë këtë Gjykatë Kushtetuese. Një pyetje për sa i përket betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. As ju as kolegë tuaj nuk ishit në ceremoninë e betimit të anëtarëve të rinj, ndërkohë që ishit në ceremoninë e betimit të anëtarit Besnik Muçi. Pse? Mesa di unë nuk ju kishin ftuar. A do të kishit shkuar po t’ju ftonin? Apo do të rakordoheshit me kolegët tuaj europianë?

Në të vërtetë ne në në ambasadën e Francës kemi pasur ftesë nga Presidenti, – dhe nuk kemi qenë të vetmit, – për ceremoninë e betimit solemn në Presidencë të zotit Besnik Muçi. Kështu që unë shkova dhe aty ishim disa. Mesa më kujtohet, veç në më ka shpëtuar ndonjë gjë, nuk patëm ftesë për ceremonitë e tjera. Por nuk ia vlen të zgjatemi për këtë.

-Presidenti është shfaqur si sovranist kohët e fundit me fraza si “no more rule of Embassy, rule of laë”. Madje ka folur për, po e citoj, “diplomatë të korruptuar”, “vagabondë”, “rrecka të Edi Ramës”, “palaço”, “grup i strukturuar diplomatik”, për analogji me grup i strukturuar kriminal… A ndiheni e prekur apo e shënjestruar nga këto cilësime, ju, si ambasadore e Francës?

Jo, kjo nuk ka të bëjë me ne. Dhe mendoj se as kolegët e mi ndihen të prekur, nuk ndihemi të shqetësuar, ose, përndryshe, ndihemi të tërë të shqetësuar. Diplomatët kanë një rol për luajtur… Ka një ngarkesë kundër diplomatëve. Por diplomatët kanë një rol që nuk mund të neglizhohet. Nuk jam as unë as ndonjë tjetër që mund të thotë të kundërtën. Por ama ky rol as nuk duhet ekzagjeruar. Diplomatët nuk janë këtu për të zëvendësuar autoritetet kompetente. Unë mendoj që ka pasur një ngutje kur janë përdorur ato fjalë. Nuk e dija kuptimin në shqip të fjalës vagabond, në kuptimin e gansterit, por unë nuk njoh personalisht në komunitetin diplomatik këtu në Tiranë asnjë grua apo burrë diplomat sadopak vagabond. Sinqerisht. Dhe nuk e them këtë për solidaritet, se ndoshta po e mendoni. Jo, nuk është një refleks solidariteti. Sa i takon krahasimit me banda apo grupe kriminale, çfarë është kjo? Të jemi seriozë! Unë kam tendencë t’i marr gjërat më ironi ndonjëherë, por këtu le të bëhemi seriozë! Po, diplomatët takohen. Po, diplomatët mblidhen rregullisht. Dhe grupi i parë, për ne francezët, si edhe për të tjerët, është ai i ambasadorëve të Bashkimit europian. Ne mblidhemi rregullisht me njëri-tjetrin, dhe aq më mirë. E dini, si për mua edhe për të tjerë ka qenë e rëndë të shoh që kolegu ynë britanik është duke u larguar nga ky grup, për shkak të Brexit.

-Meqë jemi këtu, t’ju pyes për kolegun tuaj tjetër, ambasadorin e OSBE-së Bernd Borschard, i cili ka qenë edhe ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, për të cilin Presidenti Meta tha se do të jetë i padëshirueshëm në Presidencë. Keni një koment për këtë?

Nuk do të komentoj Presidentin, i cili thotë atë që do të thotë. Ajo që mund të them është vetëm se e njoh Bernd Borschard prej disa kohësh. Njihemi që nga Gjermania, sepse kam punuar jo pak në Gjermani. Dhe mendoj se nuk është në interes të askujt që t’i përvishet një diplomati, cilido qoftë ai. Nuk është në interesin e askujt! Sigurisht, e di çfarë i qortojnë. Çdokush mund të shkasë. A kishte shkarje, këtë nuk më takon mua ta them. Por mendoj se askush nuk ka interes kundër Bernd Borschard, sepse, të mos harrojmë, Shqipëria po bëhet gati të marrë presidencën e radhës të OSBE-së në 2020. Askush nuk ka interes të tregojë me gisht përfaqësuesin e OSBE-së këtu. Askush! Eshtë tepër e rëndësishme për Shqipërinë që të marrë presidencën e OSBE-së në 2020. Pra, vërtet le të mos i vëmë gishtin askujt. Ju lutem!

-A keni ndonjë koment për takimin e Presidentit, ndër të tjera edhe me partitë opozitare dhe përmendja e zgjedhjeve të parakohshme? Në këndvështrimin tuaj a është Presidenti i njëanshëm për këtë çështje me qëndrimet e tij?

Edhe njëherë, mos prisni prej meje të vlerësoj qëndrimet e Presidentit të Republikës, ashtu siç nuk do të komentoja në një mënyrë ose një tjetër qëndrimet e mbajtura nga Kryeministri. Do t’ju jap një përgjigje të shkurtër, që nuk do t’ju habisë: Më duket e natyrshme që Presidenti i Republikës t’i presë të gjithë. Eshtë Kryetari i Shtetit. Ashtu siç më duket e natyrshme që të ketë kontakte mes qeverisë dhe opozitës. Nga njëra anë, ndoshta nuk ka pasur mjaftueshëm, por ne e dimë që ka kontakte nga mazhoranca. Nga ana tjetër, dua të nënvijëzoj se diçka po ndodh, diçka inkurajuese, sepse kemi një formë të rifillimit të dialogut për reformën zgjedhore. Jam pak e kujdesshme, por është gjithsesi një rifillim. Në krahasim me situatën e bllokimit, duhet vlerësuar si një hap i parë i hedhur. Mendoj se tregon gjithashtu vullnet nga të dyja palët, mazhoranca dhe opozita, për të bërë një përpjekje për të ecur përpara me reformën zgjedhore. Pra, në vetvete, mendoj se është interesante.

– A keni frikë se Shqipëria mund të rrëshkasë në anarki apo përplasje të armatosura, kur dëgjoni Presidentin të flasë për rrëmbim armësh për të mbrojtur Kushtetutën?

Presidenti mendoj se do që të tërheqë edhe njëherë vëmendjen. Ai thotë çfarë dëshiron të thotë. Por mendoj se do që të tërheqë pak vëmendjen. Por nuk jam këtu për të interpretuar deklaratat e tij. Ajo çfarë kam pasur rastin të them në takime më të vogla është se do të ishte gjithsesi e trishtuar që krejt papritur të dalë argumenti i armëve, ndërkohë që ka një nismë franko-gjermane, një nismë vërtet madhore në kuadër të procesit të Berlinit, që synon eliminimin në të gjitha vendet e rajonit të armëve të lehta dhe të kalibrit të vogël, dhe municioneve të tyre. Pra, çfarë paradoksi do të ishte që nga njëra anë të kishim armët që dalin në shesh, – e që këtu nuk mungojnë, – dhe nga ana tjetër një nismë që është përqafuar nga të gjithë për t’u çliruar nga këto armë.

– A është kjo krizë politike, që në fakt vazhdon dhe nuk lidhet vetëm me Gjykatën Kushtetuese, një nga arsyet pse Franca refuzoi çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE?

Pyetja juaj më jep rastin të vë disa pika mbi i. Nuk është Franca që refuzoi çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çfarë vendosi Këshilli Europian? Vendosi një klauzolë ritakimi, siç e quajmë në skenën ndërkombëtare. Pra, çështja mbetet e hapur. Çelje ose jo e negociatave të anëtarësimit. Dhe ky vendim u morr njëzëri nga vendet anëtare. Të thuash që Franca tërheq fijet, na atribuon më shumë se ç’meritojmë. Por mos harroni se pati edhe vende të tjera. Do ta them këtë edhe shqip, ndoshta nuk e them si duhet, por në mënyrë solemne po ju them “dera është e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Dhe mos harroni gjithashtu që pati vullnet nga ana e vendeve të Bashkimit Europian për të mos ndarë fatin e Shqipërisë nga ai i Maqedonisë së Veriut.

– Ju thoni që nuk ishte Franca vetëm, jam dakord, sepse kishte edhe vende të tjera si psh. Holanda, por vëzhgues europianë kanë nxjerrë në pah, kanë vënë në dukje, se, nëse Franca nuk do të kishte qenë kundër gjatë Këshillit europian, Holanda apo vende të tjera, si Danimarka, nuk do të kishin guxuar të vinin veton. Pra mund të thuhet në një farë mënyre se ishte Franca ajo që, pavarësisht arsyeve të saj, tha “jo”. Shumë diplomatë europianë e kanë quajtur një “gabim katastrofik”. Si ju bën të ndiheni kur partnerët tuaj ju kundërvihen në këtë mënyrë?

A është katastrofik ky vendim, shtrohet pyetja? Sipas disave, po. Por ndonjëherë fjalët tejkalojnë mendimet. Do të bëj dy vërejtje. E para: Eshtë t’i njohësh keq Vendet e Ulta nëse mendohet apo imagjinohet se Vendet e Ulta janë rimorkio e kujtdo qoftë. Unë vetë i njoh mirë Vendet e Ulta, sepse kam shërbyer në një qytet të mrekullueshëm, në kryeqytetin Amsterdam; i njoh mirë Vendet e Ulëta në Evropë dhe territoret e tyre përtej detit. Është e pamendueshme të konsiderohet se Vendet e Ulëta i shkojnë mbrapa ndonjë shteti tjetër. Është e pamendueshme. Pra, kush e thotë këtë, thjesht nuk di çfarë flet. Vërejtja e dytë ka të bëjë me një perspektivë, samitin e Zagrebit në maj 2020. Dhe mos harroni se Këshilli Evropian ka thënë se do të diskutojë përpara samitit të Zagrebit. Pra, shumë gjëra do të ndodhin para pranverës së ardhshme. Ndaj në vazhdën e strategjisë franceze për Ballkanin perëndimor kemi atë dokument për zgjerimin, që me siguri jeni në dijeni, sepse është shpërndarë përpara disa ditësh.

Veritas.com.al/