Gjykata e Rrethit Durrës vendosi sot që t’i njohë mandatin e kryebashkiakes Valbona Sakos, e cila kandidoi për PS, në zgjedhjet e30 qershorit.
Vendimi i gjykatës erdhi pas kërkesës që bëri Partia Socialiste, e cila kërkoi vërtetimin e mandatit të kryebashkiakes së Durrësit.
Sigurisht, një akt i tillë erdhi edhe pas ndryshimit të gjyqtarit.
Po si e justifikon gjykatësi Shpëtim Reka “paqëndrueshmërinë” e gjykatës?
Në argumentet e përdorura nga gjyqtari theksohet se vendimi i dhënë më datë 17 po nga Gjykata e Durrësit nuk ka hyrë në fuqi.
“Vendimi Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nuk ka marrë formë të prerë, provuar nga Vërtetimi Nr.196, dt.19/07/2019 i Kryekretarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”, thuhet në vendim.
Duke përdorur argumentin e ndryshimit të termave”, gjykatësi arrin në përfundimin se Sako dhe PS kanë kërkuar dy gjëra të ndryshme në gjykatë.
“Vendimin Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 dhe kërkesa në këtë gjykim nuk përbëjnë „të njëjtën çështje“ sipas nenit 58 të K.Pr.Civile, pasi veç objektit të kërkimit (vërtetimi i mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës), si kërkuesit, ashtu edhe shkaku ligjor i kërkimeve janë të ndryshëm.
Në përfundim të kësaj analize gjykata arrin në konkluzionin se nuk ekzistojnë pengesa procedurale që do të pengonin shqyrtimin nga ana e saj të kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për vërtetimin e mandatit si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj.Valbona Sako”, thuhet në vendim.
Veritas.com.al/