Pas akuzave të vazhdueshme të Partisë Demokratike se ka qenë i dënuar në Itali për shpërndarje droge në vitin 2003, Valdrin Pjetri ka vendosur të tërhiqet nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës.

Valdrin Pjetri shkruan:

‘Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi….

Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës.

Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.

Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem.

Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarjeje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër….

Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj!’

Ndërsa pak minuta pasi Pjetri ka shpallur dorëheqjen, kryetari i PD, Basha, ka deklaruar përmes twitter:

‘“Një kriminel më pak në politikë; një uzurpator më pak në pushtetin vendor. Asgjë nuk ndryshon deri sa të largojmë Edi Ramën, kokën e krimit politik”, shkruan Basha.

VERITAS.COM.AL/