Liderë nga e gjithë bota mbërrijnë këtë të premte (25 prill) në Romë për t’i bërë nderimet e fundit Papës Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare. Përpara ceremonisë madhështore të së shtunës në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikani do të përfundojë sot përgatitjet e fundit, ndërsa qyteti është vënë nën masa të rrepta sigurie.

Në mesin e mbi 50 krerëve të shteteve dhe 10 monarkëve që pritet të marrin pjesë janë presidenti amerikan Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe presidenti i Argjentinës Javier Milei dhe Princi Ëilliam i Britanisë. Prania e tyre reflekton ndikimin e thellë të Papës së parë nga Amerika Latine gjatë 12 viteve në krye të Kishës Katolike.

Autoritetet kanë vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Vatikan, me snajperë të pozicionuar në çati, avionë luftarakë në gatishmëri dhe përdorimin e dronëve të ndaluar, në një përpjekje për të garantuar sigurinë gjatë kësaj ngjarjeje historike.

Turma të mëdha vazhdojnë të kalojnë përmes Bazilikës së Shën Pjetrit për të parë arkivolin e hapur të Papës, i cili do të mbyllet mbrëmjen e sotme (25 prill)  gjatë një ceremonie të veçantë të drejtuar nga kardinali Kevin Farrell, përgjegjësi i përkohshëm i Vatikanit deri në zgjedhjen e papës së ri.

Papa Françesku, një figurë e dashur për përkushtimin e tij ndaj të varfërve dhe të margjinalizuarve, ndërroi jetë më pak se një muaj pasi kishte kaluar javë të tëra në spital për shkak të një pneumonie të rëndë. Dalja e tij e fundit publike ishte gjatë meshës së Pashkëve.

Pas funeralit, arkivoli i tij do të bartet në këmbë drejt Bazilikës së Santa Maria Maggiore, ku do të varroset në një varr të thjeshtë me mbishkrimin e vetëm: “Françesku”. Vendi do të hapet për vizita nga mëngjesin e së dielës.

Ndërkohë, përgatitjet për zgjedhjen e pasardhësit kanë nisur. Kardinalët e rinj, të gjithë nën moshën 80 vjeç, janë mbledhur në Romë dhe pritet që brenda dy javëve të ardhshme të caktojnë datën për konklavën që do të vendosë Papën e ardhshëm.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *