Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, përmes një deklarate për mediat, ka reaguar për vdekjen tragjike të dy elektricistëve në Gjirokastër.
“Me keqardhje dhe dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të vyer të ekipit tonë të madh të OSHEE-së, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë orëve të fundit të mbrëmjes së djeshme.
Ismet Isaraj, 64 vjeç, dhe Selfo Kallfa 52 vjeç, me detyrë elektricist në degën rajonale të OSHEE-së Gjirokastër, janë nisur për të lokalizuar defektin e linjës 6 kilovoltshme të fiderit në radiostacionin e nënstacionit të Gjirokastrës.
Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës janë njoftuar menjëherë forcat e rendit dhe më pas forcat e specializuara polumbare të cilat bënë të mundur gjetjen e trupave të tyre.
Ismeti ka qenë 22 vite pjesë e kësaj familje dhe Selfo 34 vite, pasi e kishte nisur punën në moshën 18-vjeçare, aq vjeç sa është sot Fabiani i biri i tij.
OSHEE do të kujdeset për familjet e dy punonjësve të rënë në krye të detyrës. Ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente tragjike dhe të dhimbshme.
Respekt për heroizmin e treguar nga punonjësit e OSHEE-së dhe të OST-së në çdo moment të kësaj jave sfiduese, të cilët kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme të ndikuara nga moti për të minimizuar dhe për të riparuar çdo defekt, çdo dëm elektrik dhe për të mos lënë askënd pa energji.
Kam kërkuar nga drejtuesi i OSHEE-së dhe drejtuesi i OST-së të paraqesin pranë Këshillave Mbikëqyrës kërkesën për shpërblim të punonjësve të këtyre dy ndërmarrjeve për të gjithë punën e palodhur që kanë kryer gjatë këtyre ditëve sfiduese në kushtet e motit ekstrem.”, tha Balluku.
VERITAS.COM.AL