Vdekja e mistershme e shoferit të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ka përfshirë plotësisht jo vetëm median, opinionin publik dhe politikën por edhe shpërthimin e një sërë versionesh mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të shtunë në ambientet e Gardës së Republikës.
Më së shumti opozita ka qenë ajo e cila ka aluduar se vdekja e Shkëlzen Qordjas nuk është një vetëvrasje ashtu siç ka konkluduar hetimi i policisë, por një vrasje e cila po fshihet qëllimisht nga ana e policisë dhe vetë Ministrit Xhafaj.
Debatet e shumta në lidhje me ngjarjen kanë sjellë kësisioj dhe një reagim të familjes së të ndjerit, të cilët kanë kërkuar që politika dhe gjithkush të kenë më shumë respekt për vdekjen e tij.
Prindërit dhe vëllezërit e të ndjerit Qordja kanë dhënë një prononcim për gazetën TemA:
“Eshte e pabesueshme për ne qe ne kushtet e një tragjedie familjare qe nuk i urohet as hasmit, te na duhet te përballojmë edhe shqelmat e politikes mbi trupin pa jete te djalit dhe vëllait tone qe e kemi ne mes te shtëpisë!
Kur s’ka fjale dhe ngushëllim për ne sot, detyrohemi nga këto shqelma egërsirash te gjejmë fjale për te bere deklarata publike si familje!
Por fatkeqësisht nuk kemi asnjë rruge tjetër përveçse t’i drejtohemi publikisht politikaneve qe te na lënë te qajmë njeriun tone.
Te mos shkelin mbi çdo ligj e zakon, duke bere atë qe as gjakësi i kanunit nuk e ka bere kurrë për viktimën e tij.
U lutemi mos e rendoni djalin e vëllain tone me fantazi dhe fabrikime për qëllimet tuaja.
Per shpirtin e zi qe ju shtyn ne te tilla akte çnjerëzorë nuk është fajtor i shtrenjti ynë dhe zija jone del e tepron për supet e familjes sonë te thjeshte’.
Prinderit dhe vellezerit e te ndjerit Shkelzen Qordja