Këtë të entje është ndarë nga jeta, regjisorja e mirënjohur Vjosa Berisha.
Berisha, e cila në fillim të vitit 2021 ishte diagnostikuar me kancer në vezore, ka ndërruar jetë në spitalin “University College Hospital” në Londër.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në Instagram.
Ndërkaq, data dhe vendi i varrimit, sipas njoftimit, do të bëhet e ditur më vonë.
Berisha ishte anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor përbëhet nga një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë.
Gjithsesi, ajo numëronte mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit.
Regjisorja ka qenë bashkëpronare dhe shefe ekzekutive e kompanisë së prodhimit të filmit dhe televizionit “B2 – PR & Media Solutions”, me zyra në Kosovë dhe Shqipëri.
Ajo është gjithashtu ishte bashkëthemeluese e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “Pri Film Fest”, i themeluar në vitin 2008, i cili për 11 vjet u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në vend.
Përveç kësaj, Berisha në vitin 2019 kishte prodhuar filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” me skenaristin, regjisorin dhe burrin e saj Fatos Berisha.
Në po atë vit kishte bashkë-prodhuar filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” me regjisorin Borjan Zafirovski.
Figurat publike, kolegët e Vjosës, janë shprehur të tronditur me vdekjen e papritur të saj, ndërsa nuk kanë ngurruar që ngushëllimet t’i ndajnë me publikun në mediat sociale.
Këngëtari, Dren Abazi ka qenë ndër të parët që ka reaguar duke thënë: “Fatos, me pikelloi shume ky lajm! Bonu i forte. Ngushëllime të sinqerta”
Reagim ka bërë edhe moderatorja Xheraldina Vula, e cila përmes një postimi në Instagram, i dha lamtumirën e fundit Vjosës.
“Lamtumire Vjoski, lamtumire dashnia jone ne karantine”.
/