-Ai u shpreh se ky është një projekt që do të lehtësojë trafikun në një nga segmentet më problematike të Tiranës-.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se bashkia nuk do të tërhiqet nga projekti për Unazën e Re pavarësisht protestës së banorëve të cilët preken nga projekti dhe do u prishen banesat.

Gjatë fjalës së tij në Këshillin Bashkiak, Veliaj u shpreh se shumica e qytetarëve duan që Unaza e Re të bëhet dhe se banorët që preken nga projekti do marrin bonus qiraje për 3 vite.

“Për të gjithë ata qytetarë do të ketë trajtim edhe më të mirë se po i njëjti segment nga Fabrika e Miellit deri te TEG-u, që është ajo e Komunës së Parisit. Kemi ofruar si bashki e TIranës 3 vite qira, për ata që s’kanë asnjë letër, ta themi troç, që kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër, jo tokën e tyre. Erdhën në Tiranë dhe zaptuan tokën e dikujt, në gjurmën e unazës. Ka qenë 2 vite ne do e bëjmë 3”- tha Veliaj.

Ai u shpreh se ky është një projekt që do të lehtësojë trafikun në një nga segmentet më problematike të Tiranës.

“Një qytet që ka forca politike dhe grupime që shqyejnë veten e tyre është një qytet pa të ardhme. Unë jam i vendosur që ky qytet ka të ardhme, pse, sepse 99.9 % e njerëzve duan shtet, duan ligj, nuk sulmojnë, nuk hanë veten e tyre, nuk shqyejnë veten e tyre. Kështu që për të gjitha partitë politike që merren me këtë lloj pune them që sot keni humbur pikë. 99.9 % e njerëzve do drejtësi, do t’i lirohet trafiku, do të mos i bllokohen rrugë, do që të mos i marrë 40 minuta hyrja-dalja në Tiranë, do që qyteti të zhvillohet, të modernizohet. Shanset janë zero që kjo betejë të ndalet”- tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se qytetarët e kanë ditur që aty ishte gjurma ku do kalonte Unaza e madhe, pasi ka qenë projektuar që në vitin 1989 që në kohën e Adil Çarçanit.

“Dihej që në kohën e Adil Çarçanit, shumë prej jush keni lindur pas Adil Çarçanit, nuk e dini fare për kë po flas, por që në kohën e tij këtu kalon rruga, këtu është bulevardi, këtu është Lana, këtu është Liqeni. Ishin po të njëjtët njerëz”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se qytetarët duan që Unaza e madhe të zgjerohet dhe trafiku të çlirohet.

“Fatmirësisht shumica e qytetarëve do që unaza të bëhet. Mjafton të pyesni qytetarët që janë sot te Bulevardi i Ri dhe të shikoni çfarë mrekullie ka dalë bulevardi i ri për qytetin dhe si po zhvillohet Tirana aty. Ishte po e njëjta parti me këtë stilin shpellar:  ‘dhuno, prish, blloko, jo po s’duam, jo po mos e prek’.

Ja ku është sot bulevardi. Kush do dëshmi mjafton të bëjë rrugën nga TEG te Fabrika e Miellit për 3 minuta. Pyesni njerëzit te Komuna e Parisit, pyesni njerëzit te Liqeni i Thatë, pyesni njerëzit në Farkë dhe në Lundër, pyesni njerëzit që shkojnë në të gjithë pjesën juglindore të Shqipërisë për të dalë në Elbasan”, tha Veliaj.

Ai u shpreh i sigurt se në fund të këtij debati në fund do fitojë qyteti dhe civilizimi.

“A nuk ishte e njëjta skemë, një film që ne e kemi parë? Ne e kemi parë këtë film. Unë e kuptoj, ndodhi ky film për herë të parë sot dhe s’po e dimë, por ne e kemi parë këtë film dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit. Ky film përfundon me fitoren e njerëzve të mirë, të drejtë që s’kanë zaptuar, që paguajnë taksat, që duan rendin, që respektojnë uniformën, që dinë të thonë ‘faleminderit, që nuk shqyejnë se nuk vijnë nga shpellat po respektojnë qytetin, kodi ynë i përbashkët, stofi që na lidh me njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.’

Veritas.com.al/