Vizita nga Gjermania e Diana Vukajt, 58-vjeç në shtëpinë e vëllait të saj të vogël në Shkodër ka përfunduar në mënyrë tragjike. Ajo është ekzekutuar nga vëllai i saj, Fabian Vukaj 55-vjeç me pistoletë tip Zastava me silenciator me 4 plumba.

Shkak dyshohet se kanë qenë konfliktet e shumta për pronësinë e shtëpisë në lagjen ‘3 heronjtë’ në Shkodër. Autori, Fabian Vukaj jetonte i vetëm në Shkodër, i pamartuar teksa viktima, Diana, jetonte në Gjermani dhe dërgonte para për vëllanë rreth 300 euro në muaj, për ta ndihmuar nga gjendja ekonomike. Nga sa raportohet, në momentin që policia ka shkuar në banesën e Fabian Vukaj, i janë gjetur 6 shishe alkooli dhe mendohet se ka qenë i alkoolizuar në momentin që ka kryer krimin. Viktima, Diana i jepte një rrogë mujore prej 300 eurosh në muaj vëllait të saj të vogël, por duket kjo nuk i mjaftonte për shkak se dhe luante bixhoz dhe kanë debatuar herë pas herë për para që e motra shpenzonte për mobilimin e një shtëpie të saj në Velipojë.

Ky krim në familje tronditi opinionin publik, për shkak se 55-vjeçari e ka mbajtur për 3 ditë motrën e vdekur në shtëpi, thonë burimet, por nuk është një detaj i konfirmuar zyrtarisht. Kanë qenë fqinjët ato që kanë zbuluar këtë makabritet, pasi nuk e kishin parë prej ditësh 58-vjeçaren që kishte mbërritur nga Gjermania, duke njoftuar policinë. Gjithçka u zbulua mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30 kur dhe efektivët e policisë mbërritën në shtëpinë e 55-vjeçarit dhe gjetën gruan të vrarë në krevat.

Dyshohet se autori ka qenë i alkoolizuar, por motër e vëlla mësohet se kanë pasur herë pas here konflikte me njëri tjetrin.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 4 gëzhoja pistoletë 7.62  mm dhe arma e krimit me një krëhër me 4 fishekë dhe një fishekë në fole. Gjithashtu në banesën e 55-vjeçarit në lagjen ‘3 Heronjtë’ u gjet edhe një krehër pistolete zastava  pa fishekë, një krëhër automatiku pa fishekë dhe një silenciator automatiku.

Flitet se autori pasi ka vrarë të motrën ka dalë në lagje duke thirrur se “kam vrarë motrën”, megjithatë ky detaj nuk është konfirmuar zyrtarisht. Autori i kësaj ngjarjeje, Fabian Vukaj është vënë në prangat e policisë dhe dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit kur ka kryer krimin.