Delegacioni shqiptar, pranë Këshillit të Sigurisë në OKB, ka konfirmuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente për agresionin rus kundër Ukrainës.

 Kjo, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) që urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të pushtimit të Federatës Ruse.

“Agresioni i vazhdueshëm kundër Ukrainës vazhdon të shkaktojë shkatërrime të pamasë dhe vuajtje njerëzore”, deklaron delegacioni shqiptar.

Gjashtë vende kërkuan të mërkurën e 16 marsit një takim të Këshillit të Sigurisë pranë OKB-së për situatën në Ukrainë.

Në të përfshihen Britania e Madhe, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe SHBA-të.

“Rusia po kryen krime lufte dhe po synon civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne”, shkroi në Twitter misioni i përhershëm i Britanisë në OKB.

Kërkesa erdhi pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyri në javën e tretë.

Të paktën 726 civilë janë vrarë dhe 1 mijë e 174 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas OKB-së.

Më shumë se 3 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, tha agjencia e OKB-së për refugjatët.

Vendimi i ICJ-së

ICJ-ja vendosi të mërkurën e 16 marsit – pas një kërkese urgjente të Ukrainës – që Rusia të ndalte urgjentisht pushtimin e saj.

Me 13 vota pro dhe dy vota kundër, Federata Ruse do të duhet t’i pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filloi më 24 shkurt.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, ky është vendimi i parë i tillë i dhënë nga një gjykatë ndërkombëtare.

Kiev-i zyrtar akuzon Moskën për përpjekje të paligjshme për të justifikuar luftën.

Përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korynevych, kërkoi që ICJ-ja të urdhëronte Rusinë për “të pezulluar menjëherë operacionet ushtarake”.

Rusia vazhdoi duke thënë se “po vepronte në vetëmbrojtje” për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë.