Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni do të mbledhë të hënën qeverinë në lidhje me vendimin e marrë sot nga Gjykata e Romës për dërgimin e emigrantëve nga kampi i Gjadrit, në Itali.
Meloni e ka quajtur vendimin e gjyqtarëve, me paragjykime, ndërsa ka deklaruar se mbledhja e së hënës do të mbahet për të zgjidhur këtë problem.
“Thirra mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të miratuar rregullat për të kapërcyer këtë pengesë, sepse mendoj se nuk i takon gjyqësorit të thotë se cilat vende janë të sigurta, por qeverive, kështu që qeveria do të duhet ta sqarojë më mirë”, tha ajo.
Vendimi i gjykatësve italianë të premten do të thotë se objekti i ri i qeverisë së Romës në thelb është zbrazur pasi katër nga grupi i parë prej 16 azilkërkuesish që mbërritën në qendrën e përpunimit u kthyen menjëherë në Itali të enjten.
Vëllezërit e Italisë, partia e Giorgia Melonit, dënoi ashpër vendimin në mediat sociale, duke cilësuar “magjistratët e politizuar” që “do të donin të shfuqizojnë kufijtë e Italisë. Nuk do ta lejojmë”.
Matteo Piantedosi, ministri i Brendshëm, tha se “vendimi do të apelohet deri në Gjykatën e Kasacionit. Ne do të vazhdojmë me atë që Italia po arrin në Shqipëri dhe më tej do të bëhet ligj europian”.
Të 16-të, të cilët qeveria italiane argumenton se duhet të kthehen përfundimisht në vendet e tyre “të sigurta” në Egjipt dhe Bangladesh, mbërritën në portin shqiptar të Shëngjinit nga ishulli italian i Lampedusa me një anije ushtarake të mërkurën.
Skema, e cila mund të përpunojë deri në 3000 burra në muaj, përjashton gratë, fëmijët dhe individët vulnerabël, të cilët do të dërgohen në Itali. Nga katër burrat e parë të kthyer në Itali, dy mendohej se ishin të mitur dhe dy konsideroheshin të pambrojtur.
12 të tjerët u konsideruan nga gjyqtarët në Romë si të rrezikuar nga dhuna nëse deportoheshin në vendet e tyre të origjinës, në një vendim që në fakt la në fuqi një vendim të 4 tetorit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED).
Në Shqipëri mund të dërgohen vetëm emigrantët që vijnë nga një listë prej 22 kombesh që Italia i ka klasifikuar si “të sigurta”. Egjipti dhe Bangladeshi janë mes tyre, por GJED vendosi që një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet i sigurt.
Gjyqtarja Luciana Sangiovanni tha: “Refuzimi i ndalimit të individëve në strukturat në Shqipëri të barabarta me zonat kufitare apo tranzite italiane… vjen për shkak të pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së personave të ndaluar si “vende të sigurta”.
Partitë opozitare dhe gazetat kombëtare në Itali thanë se iniciativa, e cila do të kushtojë rreth 1 miliardë euro (830 milion £) për pesë vjet, ishte tashmë një dështim, duke vënë në dukje se qeveria kishte shpenzuar 250000 euro për transportimin e 16 burrave në Shqipëri me një anije ushtarake.
Partia Demokratike tha se plani kishte dështuar dhe Meloni duhet të kërkonte falje, ndërsa partia Europa kërkoi dorëheqjen e Piantedosit.
Një rrjet OJQ-sh që përfaqësojnë 160 organizata që mbështesin personat pa dokumente e ka përshkruar marrëveshjen italo-shqiptare si “çnjerëzore, absurde dhe një sistem të kushtueshëm që shkel detyrimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.
Michele LeVoy, nga Platforma për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Migrantët Pa dokumente, ose Picum, tha se rrjeti ishte “i tmerruar” nga mbështetja në rritje midis vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian për qendrat e emigrantëve në det të hapur.
“Përveç të qenit një marrëzi logjistike dhe financiare, është një sistem mizor që shkel ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së dhe i vë njerëzit në rrezik të keqpërdorimit pa opsione të qarta për të marrë drejtësi dhe mjete juridike”, tha LeVoy në një deklaratë