Kreu i SPAK Klodian Braho ka prezantuar veprimtarinë e SPAK gjatë vitit 2025.

Në raportimin e tij në Këshillin e lartë të Prokurorisë, Braho tha se janë pakësuar masat “Arrest në burg”.

“Volumi i hetimeve penale është rritur edhe gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedime të reja, të regjistruara gjatë këtij viti. Prej tyre, 39 janë çështje të bashkuara, ndërsa 577 janë procedime të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832). Po ashtu, raporti mes procedimeve penale të reja dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara është rritur me rreth 6.67% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.

Sa i përket volumit të punës në mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të tregojë qëndrueshmëri, me 216 çështje/hetime të përfunduara në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024.

Edhe pse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%, çka tregon se hetimet janë fokusuar në çështje më komplekse, që përfshijnë më shumë individë. Kjo dëshmon një qasje më strategjike dhe të fokusuar të SPAK në ndjekjen penale gjatë këtij viti raportues.

Gjatë vitit 2025, rreth 29% e çështjeve dhe hetimeve të përfunduara janë transferuar tek prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duke shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me mesataren e periudhës 2021–2024.”, tha ai.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *