Në përfundim të seancës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori vendim për shkarkimin nga detyra gjyqtarin Artan Broci.

Vendimi për Brocin, anëtar i Gjykatës së Lartë u mor me shumicë votash. Gjatë hetimit të thelluar, KPK konstatoi se Artan Broci ka probleme me shtyllën e  pasurisë, pasi ka rezultuar me mospërputhje çmimesh për një apartament që ka blerë dhe ka shmangur taksat.

Subjekti u mbrojt duke u shprehur se ka paguar detyrimet, por zyra e tatimeve nuk jep të dhënat. Gjykatësi ka marrë notë pozitive për aftësitë profesionale dhe nuk ka kontakte me njerëz të krimit.

Artan Broci e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai e ushtroi funksionin pranë kësaj gjykate deri në vitin 2010, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në prill të vitit 2013, Broci u dekretua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Paralelisht me detyrën si gjyqtar, Broci ka qenë edhe asistent-pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është angazhuar si ekspert në disa projekte si dhe ka dhënë kontribut në reformën e drejtësisë për të miturit në Shqipëri.

Veritas.com.al/