Oficeri i Policisë së Fierit, Kastriot Fafa, i ka dhënë fund jetës sot në mëngjes duke qëlluar veten me armën e shërbimit. Shkaqet e vetëvrasjes nuk janë bërë akoma të qarta.

Por burime të besueshme të policisë së Fierit i treguan ABC Neës, që Kastriot Fafa i cili u vetëvra me armën e shërbimin mëngjesin e kësaj të marte, prej një jave ishte në panik nga procesi i vetingut.

Shqetësimin ai e ka shprehur tek kolegët e tij të afërt, duke u treguar atyre edhe dyshimet për ku mund të goditej gjatë verifikimit të punës.

Të njëjtat burime thanë se 46 vjeçari i cili më parë kishte punuar inspektor zone, i trembej dy firmave të dyshimta të hedhura për pajisje me pasaportë. Megjithatë grupi hetimor ende nuk ka dalë zyrtarisht për shkakun e vetëvrasjes së Fafës prej kohësh punonjës i policisë.

Shyqyri Fafaj, babai i Kastriotit deklaron se i biri nuk ka shfaqur shenja se do të ndërmerrte një akt të tillë, ndërsa deklaron se ka qenë i ngarkuar vetëm me dokumentacionin për vettingun e nisur në Policinë e Shtetit.

Shyqyri Fafaj:

“Ishte stresuar shumë nga kërkesat për vettingun. Nuk menduam se mund të vriste veten. I kërkonin shumë dokumente për vettingun, kërkonin të gjitha lëvizjet që bëheshin. Kishte vite në polici, lëvizjen nga puna e ka kërkuar vetë. Ka qenë shumë i ndërgjegjshëm. Vetëm se e ka ngarkuar dega, a ministria e drejtësisë andej vetëm për dokumentet e vettingut. Kërkonin ca gjëra që nuk iu takonte fare. Më thoshe mua kur ke hyrë në Greqi dhe kur ke dalë nga Greqia. Unë nuk isha në kërkim nga shteti, pse t’ia kërkonit çunit? Çunit t’i kërkonin punën që kishte si polic. Për këtë u vra çuni. Iu fiksua një budallallëk i tij dhe prandaj vrau veten. Po çuni ishte shumë i pastër. Nuk përzihej me këto gjëra. Ishim të ndarë, unë isha vetëm por unë e ndihmoja më shumë gjëra”, ka deklaruar i ati i 46-vjeçarit.

Sipas gjasave të deritanishme, oficeri i Policisë, Kastriot Fafaj mund të konsiderohet si viktima e parë e Vettingut.

Veritas.com.al/