Nga Camille Cazorla

 

E pasur me antioksidantë dhe me vitaminë C, lista e vlerave shëndetësore të rrepës së zezë është e gjatë. Përdoreni këtë superushqim të vjeshtës pa kursim.

Merreni si aperitiv pasditeve! Kjo perime rrënje gjithçka e ka të mirë. E pasur në vitamina, e mbytur në antioksidantë dhe pak kalorike, rrepa e zezë është perime e shëndetshme. Për vlerat e saj të shumëfishta flet Claire Marino, natyropate dhe sofrologe, specialiste e ushqimit dhe stresit.

 

Një antilodhëse e shkëlqyer

Me mbërritjen e vjeshtës dhe hundët e zëna prej dy javësh, jemi pak të lodhur. Lajm i mirë, “rrepa e zezë është plot me vitaminë C, e njohur kryesisht për forcimin e sistemit imunitar”, saktëson natyropatja Claire Marino. Kështu, ajo vepron në organizmin tonë si një injeksion i vërtetë energjie dhe të jep ndjesi ngopje nëse jeni duke mbajtur dietë. Për më tepër, vitamina C ndikon në shëndetin e mirë të epidermës sonë: “ajo ndihmon në ekulibrimin e hekurit që kontribuon pjesërisht në elasticitetin e mirë të lëkurës dhe oksigjenon gjakun. E pasur në antioksidantë, ajo parandalon gjithashtu plakjen e qelizave” shton specialistja.

 

Fuqizon sistemin nervor dhe ndihmon në mbylljen e plagëve

Njësoj si lakra kale, kungujt apo sallata, rrepa e zezë përmban vitaminën B9. “Ajo këshillohet tre muajt e parë të shtatzanisë kur zhvillohet truri i fetusit; ajo forcon në mënyrë globale sistemin tonë nervor”, saktëson natyropatja. Vitamina ndihmon gjithashtu në mbylljen e plagëve “duke prodhuar qeliza të reja që riparojnë teksturën e lëkurës”, shpjegon Claire Marino.

 

Kufizon depozitimin e ujit në organizëm

“E varfër në sodium, rrepa e zezë nuk ka gisht në depozitimin e ujit në organizëm, i cili shkaktohet shpesh nga ushqime të pasura me kripë”, sqaron profesionistja. Vlerat e saj diuretike “i mundësojnë trupit të nxjerrë ujin që e kemi me tepri”, shton Claire Marino.

 

Pastron mëlçinë

Rrepa e zezë vepron si një pastrues: “Ajo aktivizon lëvizjet e zorrëve që mundëson kontraktimin e qeses së tëmthit, shpesh herë përgjegjëse për jashtëqitje të keqe. Duke u kontraktuar, ajo eliminon toksinat e tëmthit”, shpjegon natyropatja.

 

Kur dhe si ta konsumojmë rrepën e zezë? Si çdo perime, e konsumojmë të gjallë, të zier ose lëng të shtrydhur. Gjithësesi, Claire Marino parapëlqen të parandalojë: “për të ruajtur vitaminën C, ia vlen më shumë të shmangni gatimin në temperaturë të lartë, që shkatërron vlerat ushqyese”. Mund t’i ofrojmë vetes që tani një kurë për të forcuar organizmin tonë që të mbrohemi nga dimri. Nëse mund ta pasurojmë ushqimin tonë me rrepa në gjellë apo me lëngje, është shumë mirë, por nuk mjafton… profesionistja këshillon edhe marrjen e ampulave, që shiten në farmaci sepse janë “më të koncentruara në vetitë ushqyese”. Praktikisht, merrni një ampulë çdo mëngjes, për tri javë deri një muaj.

Kujdes: njerëzit që vuajnë nga aciditeti gastrik duhet t’i evitojnë kurat me rrepën e zezë. Këshillohuni gjithmonë me mjekun.