(FOTO: Tove Ornst, zëdhënëse e KE ka folur për sistemin e ri të lëvizjes në BE edhe për shqiptarët)/
Nga: Veritas.com.al/
Këshilli i Europës ka njoftuar se në fillim të vitit 2017 mund të hyjë në fuqi mekanizmi i ri i sistemit të vizave, ose lëvizjes së njerëzve në vendet e Bashkimit Europian- siç e quajmë rëndom. Mekanizmi i ri- sipas shpjegimeve jo të qarta paraprake- ka të bëjë me disa kufizime në lëvizjen e lirë deri në rivendosjen e sistemit të vizave.
Ky sistem, dmth., kufizues, ishte kërkuar që në fillim, viti 2010, sidomos për Shqipërinë e Bosnjën, por nuk u aplikua. Mekanizmi ka në thelb një të drejtë ekzekutive të shtuar për Komisionin e Këshillit të Europës. Sipas tij, Komisioni mund të rivendosë sistemin e vizave për një shtet të caktuar,problematik, pa pasur nevojë të vërë në lëvizje mekanizmin e madh të “Shengenit.
Tove Ernst, zëdhënëse e KE tha se: “Së pari, ne e kemi një mekanizëm për pezullimin e vizave në fuqi me rregulloren tonë të vizave dhe ajo që bëjmë tani është përforcimi i këtij mekanizmi, në mënyrë që të forcojmë politikën tonë të liberalizimit të vizave. Nuk është një mekanizëm për pezullimin e vizave vetëm ndaj një vendi, apo rajoni, por u takon më shumë se 60 shteteve me të cilat ne kemi marrëveshje për regjimin e lirë të udhëtimit. Në themel, kjo mundëson rivendosjen e vizave, në mënyrë më të shpejtë se përpara, megjithëse nuk është përdorur edhe më parë, por tani vendimi mund të merret më shpejt, në rastet e dyndjes së emigrantëve të parregullt dhe të rrezikshmërisë së lartë të sigurisë. Kjo bëhet vërtetë me synimin e forcimit të politikës sonë, për të mundësuar vazhdimin e dialogut të vizave, si dhe për të forcuar marrëdhënien me ato vende, me të cilat ne kemi regjimin e lëvizjes pa viza”.
I njëjti motiv shtyn Unionin që të paraqesë Sistemin Europian të Informacionit të Udhëtimit (ETIAS), ashtu siç funksionon aktualisht për SHBA dhe Kanada, por që në Europë pritet të hyjë në fuqi vetëm në fillim të vitit 2021.
“ETIAS, sistemi evropian i autorizimit të informacionit të udhëtimit, nuk është aspak vizë, por tërësisht diçka tjetër, që synon të lehtësojë udhëtimin pa pengesa të atyre që duan të hyjnë në BE. Pra është një sistem, në të cilin ne mund të verifikojmë nëse ata përbëjnë rrezik për sigurinë publike, apo janë emigrantë të parregullt, përpara se të paraqiten në kufi” tha Tove Ernst, zëdhënëse e KE.
“Ne presim që në 95 për qind të rasteve, aplikuesit të marrin menjëherë përgjigje pozitive për autorizim të udhëtimit”, tha zëdhënësja e KE.
“Kjo do të na mundësojë verifikimin për rrezikun përpara kalimit të kufirit, për të parandaluar që njerëzit të refuzohen pasi të kenë ardhur deri në kufi, pasi informacioni do të jetë marrë përpara se të kryhet udhëtimi, që ata mund ta planifikojnë. Formulari plotësohet përmes internetit dhe brenda pak minutash merret përgjigja, që duhet treguar në kufi. Kjo nuk i takon veç një shteti apo një rajoni, por për të gjithë qytetarët që lëvizin pa viza në Europë, të cilët duhet ta plotësojnë në kohë përpara se të kalojnë kufirin, ku do të verifikohet. Kjo kushton 5 euro dhe është e vlefshme për 5 vjet. Pra, është një procedurë shumë e thjeshtë, efiçente dhe mjaft e kuptueshme për përdoruesit, çfarë synon gjithashtu vazhdimin e politikës sonë për liberalizimin e vizave dhe për të mbajtur marrëdhënien ekzistuese me vendet që kemi regjim të lëvizjes së lirë. Pra, është një element që forcon marrëdhënien tonë dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve. Ky është qëllimi”, sqaroi Tove Ernst.
Vendi ynë bën pjesë mes atyre vendeve nga ku nisen emigrantë, që sipas politikanëve dhe ekspertëve në Europë, zë vendin e dytë për nga numri i popullissë në krahasim me njerëzit e pakënaqur me jetën në shtëpinë e tyre. Në përgjithësi, Shqipëria është rënditur në vendin e dytë pas Sirisë, ku po zhvillohet lufta civile më e egra pas luftës në Jugosllavi në vitet ’90. Menaxhimi qeveritar në Shqipëri ka krijuar paralele me një vend të Lindjes së Mesme ku zhvillohet luftë për jetë a vdekje mes rivaleve. Kultivimi masiv i drogës në Shqipëri e vë secilin nga refugjatet shqiptarë nën etiketën “i rrezikshëm” për në Europë.
/Veritas.com.al/