Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvillon sot në Jerusalem një takim “kokë më kokë” me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael me rastin e Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, që mbahet më 27 janar.

Takimi mes dy kryeministrave pritet të përqendrohet në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, bashkëpunimin politik dhe institucional, si dhe çështje të interesit të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Pas bisedimeve dypalëshe, Rama dhe Netanyahu do të kryesojnë edhe një takim mes delegacioneve përkatëse, ndërsa në përfundim është parashikuar një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Kryeministri Rama ndodhet në Izrael i shoqëruar nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Paralelisht me takimet zyrtare, znj. Rama do të zhvillojë aktivitete të veçanta, përfshirë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit, së bashku me znj. Michal Herzog, bashkëshorten e Presidentit izraelit.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri shqiptar do të pritet gjithashtu me ceremoni shtetërore në Knesset, Parlamentin e Izraelit, ku do të nderohet sipas protokollit zyrtar, përfshirë rojet e nderit, himnet kombëtare dhe homazhe në monumentin e ushtarëve të rënë dhe viktimave të terrorit. Vizita do të pasohet nga takime me drejtuesit e Knessetit dhe përfaqësues të lartë institucionalë.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës do të jetë seanca plenare speciale e Knessetit, gjatë së cilës Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Parlamentit izraelit me një fjalim të posaçëm. Ky fjalim vlerësohet si historik, pasi zhvillohet sipas një protokolli të rezervuar për një numër shumë të kufizuar udhëheqësish botërorë.

Vizita e Ramës në Izrael do të vijojë më 27 janar me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku ai do të mbajë një fjalë në prani të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Agjenda e plotë:

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump. 

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *