Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi sot presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan si “një lider të fortë dhe një partner të besueshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).

-Erdoğan nuk lejon askënd që ta manipulojë apo të marrë vendime në interes të vendeve të treta, tha presidenti rus

Duke iu drejtuar ekspertëve ndërkombëtarë në një takim të Klubit të Diskutimit Valdai në Moskë, Putin e quajti Erdoğanin “një lider të fortë dhe të vendosur që udhëhiqet nga interesat e Türkiye-s, popullit turk dhe ekonomisë turke”.

Kjo përfshin pozicionin e Türkiye-s në sektorin e energjisë, ndërtimin e tubacionit të gazit Rrjedha Turke dhe një qendër gazi, si dhe në turizëm dhe bujqësi, tha presidenti rus.

Erdoğan nuk lejon askënd që ta manipulojë apo të marrë vendime në interes të vendeve të treta, tha më tej ai.

“Ai mbron gjithmonë interesat (e Türkiye-s) në dialogun me ne. Në këtë kuptim, Türkiye në përgjithësi dhe presidenti Erdoğan në veçanti, nuk janë partnerë të lehtë”, shtoi Putin.

“Shumë vendime lindin në diskutime dhe negociata të gjata dhe të vështira. Por ka një dëshirë nga të dyja palët për t’i arritur këto marrëveshje. Dhe ne, si rregull, i arrijmë këto marrëveshje”, theksoi Putin, duke shtuar: “Në këtë kuptim, presidenti Erdoğan është një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm”, tha Putin