Orët e fundit një fëmijë 13 vjeç  është qëlluar me armë, dhe ka mbetur i vdekur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fitore të Novoselës.

Fëmija është gjetur nga babai i tij me plagë të rënda brenda ambienteve të shtëpisë.

Ai është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit të Vlorës por ka qenë e pamundur që i mituri të shpëtohej.

Burime nga policia thanë se kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen.

Sipas policisë, dyshimet e para janë që 13-vjeçari me inicialet M. A., të jetë vetëqëlluar në mënyrë aksidentale me një pistoletë.

Kanë nisur hetimet për ngjarjen:

Informacion paraprak nga Policia e Vlorës:  

Më datë 10.09.2018, rreth orës 16:40, në fshatin Fitore, Vlorë, dyshohet se është vetëvrarë  aksidentalisht me armë zjarri një djalë i mitur me gjeneralitetet M. A., 13 vjeç.

Në momentin e ngjarjes, fëmija ka qenë vetëm duke luajtur në një godinë ngjitur me banesën, ky dyshohet se është vetëvrarë aksidentalisht me armë zjarri tip Pistoletë TT.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.