Nga: Arsen Rusta

Për drejtësinë shqiptare Izet Haxhia është bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit në 1998-ën, duke e dënuar me 21 vite burg. Ai nuk ishte i pranishëm në sallë, por me anë të një kërkese, Haxhia kërkoi shpalljen i pafajshëm. Haxhia nuk ka bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, për pasojë nuk përfiton ulje me 1/3 të dënimit, e ndërsa dënimin do e kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Lazer Sallaku, Kastriot Gramshi dhe Kujtim Vranici kanë qenë 3 gjyqtarët që sot kanë marrë vendimin.

“Vendosi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehuri Izet I. Haxhia për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 78/2 e 25 të K.Penal dënimin e tij me 21 (njëzet e një) vite burgjm.

2. Vuajtja e dënimit të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. 3. Në kohën e vuajtjes së dënimit të llogaritet koha e qëndrimit të tij në arrest në burg si dhe duke vuajtur dënimin. U shpall në Tirane në datën 11.02.2022”, thuhet në njoftim.

Ky ishte procesi i dytë ndaj Haxhisë. Më herët ish-truproja i Sali Berishës, u dënua në mungesë me 25 vite burg. Prej vitesh i arratisur në Turqi, Izet Haxhia fitoi të drejtën e rigjykimit pasi pranoi t’i dorëzohej autoriteteve shqiptare, edhe pse Turqia rrëzoi disa kërkesave ekstradimi nga pala shqiptare.

Më 8 Maj 2018 Izet Haxhia preku tokën shqiptare me pranga në duar për t’u vendosur në qelitë e paraburgimit 313. Nga ajo ditë ai nisi betejën ligjore për pafajësi. Fillimisht iu pranua rigjykimi, por plot 12 kërkesa për t’iu hequr masa e arrestit me burg iu refuzuan.

Përgjatë procesit të rigjykimit Hazhia kërkoi të ballafaqohej dhe të dëshmonte në gjyq për vrasjen e shekullit edhe ish kryeministri Sali Berisha, që sipas ish-truprojës ka urdhër vrasjen e Hajdarit, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata. Më 12 shtator 1998 në një atentat mafioz u vra Azem Hadjari, krim për të cilin pas dënimit me burg përjetë të Jaho Mulosmanit, u dënua edhe Izet Haxhia.

Drejtësia ftoi në këtë proces të ishin edhe familjarët e ish-deputetit në pozicionin e trashëgimtarëve të viktimës, por ata zgjodhën të braktisin procesin dhe nuk u përfaqësuan as me avokat.