Njëri prej tyre, është Erigers Mihasi 32 vjeç, ndërsa viktima tjetër quhet Armando Dumani 26 vjeç.
Viktimat janë persona të njohur edhe më parë për uniformat blu, teksa emrat e tyre janë lakuar në shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend.
Në janar të vitit 2019 Mihasi u arrestua për grabitjen me armë dhe dhunimin e prindërve të Elton Çiços, në një fshat në Tepelenë.
Ai u lirua pas 6 muajsh mbajtje në qeli, ku kërkesa për lirimin e Mihasit u bë nga vetë prokuroria e Gjirokastrës, e cila vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.
Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall gjithashtu në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.
Sipas grupit hetimor armët ishin përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër.
Armët në banesën e Harokut, u gjetën pas hetimeve lidhur me breshërinë e plumbave mbi kompleksin Eiffel në periferi të Tiranës, më 15 qershor.
Hetimet zbuluan se autorë të kësaj ngjarjeje ishin Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi.
Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në vitin 2018.
Nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.
Për policinë kriminale, Mihasi, konsiderohet gjithashtu si i njohur i Ervis Martinaj, emri i të cilit lakohet në shumë ngjarje kriminale në kryeqytet dhe së fundmi edhe në dosjen e Emiliano Shullazit.
Ndërsa Armando Dumani është arrestuar në Vlorë në vitin 2012 si i dyshuar për një numër grabitjesh bankash.
Atentati në Astir
Dy shtetas kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në zonën e Astirit, në Tiranë.
Raportimet paraprake zbuluan se në zonën e Astirit u qëllua drejt një mjeti tip “Audi”, teksa më pas doli dhe informacioni zyrtar i policisë.
“Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur ‘2 rrathët’ në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip ‘Audi’. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet”, tregoi Policia.
Shërbimet e Policisë ndodhen ende në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.