Gjykata e Lartë ka vendosur rikthimin për rishqyrtim në Apel çështjn e vulës dhe logos së PD-së.

Në vendimin e para pak çasteve gjykata thekson se në vendimin e 3 marsit 2023, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lejuar shkelje procedural, duke e bërë te cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet përkatëse ndërkohë  që ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk kanë ngritur si pretendime në ankim. Çështja është kthyer për rishqyrtim në Apel po me një trupë të re gjykuese.

Më 25 mars 2022, gjykata vendosi si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor 2021. Ndërsa më 3 mars 2023, Apeli e riktheu çështjen në Shkallën e Parë, pasi më herët kishte pranuar si palë edhe grupimin e Alibeajt i komanduar në atë kohë në krye të partisë nga Lulzim Basha.

Më herët sot kreu i Rithemelimit Sali Berisha, deputetët që e mbështesin dhe qindra mbështetës morën pjesë në një tubim para Gjykatës së Lartë.  Në fjalën e tij Berisha e akuzoi Gjykatën e Lartë se ka kryer tradhti të lartë kombëtare ndërsa tha se kryeministri Rama nuk do arrijë kurrë të caktojë kreun e opozitës teksa paralajmëroi protesta mbarëkombëtare deri në rrëzimin e qeverisë.

Njoftimi

“Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”