Në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut”, në Kukës u ul sot avioni i parë i kompanisë WizzAir për të nisur në maj operimin e pandërprerë me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë.
Siç e nënvizioi në fjalën e saj edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, Aeroporti i Kukësit tashmë është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s që do të thotë se plotëson të gjitha standardet e sigurisë teknike dhe të gjitha kërkesat e sigurisë të vendosura nga BE dhe NATO gjithashtu.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama, u shpreh se do të jetë shumë e afërt dita, brenda këtij mandati të kësaj qeverie, që Kukësi dhe aeroporti i tij do të jenë një pikë referimi për jo vetëm banorët e verilindjes së Shqipërisë apo të Kosovës apo të pjesës së sipërme të Maqedonisë së veriut, por edhe për më tepër se kaq, pasi oferta e Kukësit do të jetë një ofertë shumë konkurruese dhe një ofertë fituese për të gjithë, për komunitetin, për ekonominë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama në aeroportin e Kukësit, ku pas testimeve të suksesshme kompania WizzAir ul avionët e saj me 4 destinacionet e para drejt 3 vendeve Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë. Rama është i shoqëruar në këtë aktivitet nga ministret Balluku dhe Spiropali.
“Brenda këtij mandati qeverisës Kukësi dhe aeroporti i tij do të jenë jo vetëm pikë referimi për verilindjen e vendit, banorët e Kosovës dhe rajonit, por edhe më tej. Pas Wizz Air do të vijnë edhe të tjerë me siguri”, tha Kryeministri.
Rama bëri me dije se linjat e fluturimeve do të shtohen dhe se do të ketë ulje të çmimeve për shkak të strategjisë që do të ndiqet.