Ish- ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka deklaruar se do ta refuzojë mandatin e deputetit në Kuvend. Deklaratën e bëri në një emision në Ora Neës TV. Ai tha se pasi lirohet vendi i një deputeti në listën e LSI me betimin e Ilir Metës si president i Republikës, mund të vijë radha që të jetë deputet, por e refuzon.

“Nëse do ftohem nga KQZ për të marrë mandatin do ta refuzoj, patjetër që do ta refuzoj.

Është formalitet i tepruar tashmë, nuk ka asnjë kuptim. Ky parlament ka marrë vulën e fundit të tij praktikisht, teorikisht qëndron në detyrë, por ky është një muaj pushimesh dhe unë kam planifikuar pushime.

I qëndroj besnik fjalës që kam thënë se nuk është e thënë të jesh deputet për të bërë politikë, nuk më ka penguar asnjëherë mosqënia deputet për të bërë politikë.

Kam bërë poltiikë dhe bisedoj me këdo fare lirisht pa qenë e nevojshme të jem deputet. Rrjetet sociale janë një obsion i mirë, por edhe Ora Neës është një televizion shumë i këndshëm për mua.” – tha Manjani.

Veritas.com.al/