
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë dakordësuar mbi kushtet e një marrëveshje për mineralet, përmes së cilës Kievi synon të blejë mbështetjen e Presidentit amerikan Donald Trump në luftën me Rusinë.
Burime të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters, thonë se draft-marrëveshja nuk specifikon ndonjë garanci sigurie për Ukrainën apo vazhdimin e furnizimeve me armatime, por thotë se Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të jetë e lirë, sovrane dhe e sigurt. Sipas një prej burimeve, furnizimet e ardhshme me armatime po vazhdojnë të diskutohen mes Kievit dhe Uashingtonit.
Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se homologu ukrainas Volodimir Zelensky dëshiron të shkojë në Uashington të premten për të nënshkruar një marrëveshje të madhe: “Dëgjova se do të vijë të premten. Sigurisht, që për mua nuk ka problem nëse ai ka dëshirë. Ai dëshiron të firmosë marrëveshjen me mua dhe e kuptoj pasi është një marrëveshje e madhe, shumë e madhe. Taksapaguesit amerikanë do të marrin mbrapsht paratë e tyre, e madje edhe më shumë”.
Marrëveshja do të lejojë Amerikën të ketë qasje ndaj pasurive minerale të Ukrainës. Burimet familjare me çështjen thonë se ajo parashikon që SHBA dhe Ukraina të ngrenë një Fond Investimi për rindërtimin dhe të riinvestojnë të ardhurat nga pasuritë nëntokësore, përfshirë mineralet e hidrokarbonet.
Ukraina do të kontribuonte në fond me 50% të të ardhurave derisa të arrihej me shumën prej 500 miliardë dollarësh. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një angazhim financiar afatgjatë për zhvillimin e një “Ukraine të qëndrueshme dhe ekonomikisht të begatë”. Zelensky refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të mëherëshme teksa Uashingtoni kërkoi të drejtat mbi pasurinë 500 miliardë dollarëshe të Kievit.
Ky i fundit protestoi me pretendimin se sasia e ndihmave amerikane kishte qenë më e vogël dhe se draft marrëveshja nuk përfshinte garanci për sigurinë. Presidenti amerikan që e cilëson ujdinë si një shlyerje të miliarda dollarëve që SHBA ka derdhur në Ukrainë, tha gjithashtu se trupa paqeruajtëse nevojiten në Ukrainë nëse një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit do të arrihet.
Ai tha se Moska do ta pranonte një koncept të tillë, megjithatë Kremlini i mohoi pretendimet.
Komente