Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kievi, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, të martën e 3 majit u është drejtuar ligjvënësve shqiptarë të mbledhur në seancën e Posaçme Parlamentare.

 Ai e nisi fjalën e tij me një urim për të gjithë besimtarët myslimanë në mbarë botën që festuan muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Dje myslimanët në mbarë botën festuan Fiter Bajramin që shënjon fundin e Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit për Islamin. Ju përgëzoj për këtë festë, ju uroj atë që të gjithë ukrainasit sot iu urojnë njëri tjetrit, paqe”, tha Zelensky.

Zelensky shtoi se gjatë këtij muaji të shenjtë myslimanët ukrainas, dhe e gjithë shoqëria atje nuk kanë patur asnjë gjë të vetme.

Për të, Rusia ka injoruar shënjtërinë e muajit të Ramazanit, ku mbi 56 objekte fetare u shkatërruan ose u dëmtuan nga armatimet.

Më tej, në videomesazh, ai ka i shprehur mirënjohje ndaj Shqipërisë, e cila sipas tij është pozicionuar krah lirisë me hapa konkrete.

“Faleminderit për hapat konkrete për Ukrainën në mbështetje kundër sulmeve të Rusisë”.

Këtu ai solli në vëmendje se qëndrimi i shqiptarëve ndaj popullit ukrainas i kujton Shën Terezën shqiptare që është kthyer në simbolin e humanizmit në mbarë botën.

“Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen”.

Zelensky ravijëzoi se “duke punuar së bashku, me gjithë evropianët, do jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë të zhvilluar nga Rusia e të mbrojmë Evropën në të ardhmen nga një përsëritje e kërcënimi të tillë”.

Ndër të tjera, Zelensky shprehu sigurinë se, kur të vijë koha për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, vota e Shqipërisë do jetë e dëgjueshme në mbështetjen e Ukrainës.

“Dekada më parë, Ukraina dhe Shqipëria u futën në rrugë e demokracisë dhe integrimit europan. Ne nuk devijuam nga kjo rrugë, së bashku ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e lirisë dhe një Evrope të bashkuar”, tha ai.

“Që nga 24 shkurti nuk kemi pasur asnjë ditë të paqtë”

Ai paraqiti edhe një panoramë mbi rëndimin e situatës në Ukrainë, ku forcat ruse nuk po kursejnë as popullsinë civile.

“Dje një 14-vjeçar në Odessa ka humbur jetën dhe një 17-vjeçare ka mbetur e plagosur. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren që u vra nga raketa ruse që goditi ndërtesën e saj. Rusia po godet vendin tonë, nuk kursen raketat”, ravijëzoi ai.

“Rusia”, tha presidenti ukrainas, “i ka shndërruar gjithë ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. 220 fëmijë u vranë dhe 406 të tjerë u plagosën. Në qytetin tonë më të madh në lindje 1/5 nga të gjitha shtëpitë është shkatërruar tashmë. Nuk ka ndërtesa të pashkatërruara. Asnjë ndërtesë, imagjinoni”.

“Mbyllni portet për anijet ruse, kufizoni ardhjen e turistëve rusë”

Në një kohë që paketa e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë po diskutohet në BE, e cila përfshin embargon e naftës dhe bllokim të çdo skeme që Rusia përdor për të injoruar sanksionet, Zelensky u kërkoi qeveritarëve shqiptarë që “të mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjen e turistëve rusë”.

Sakaq, ai tha edhe se Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global.

“Sado e vështirë të jetë duhet të kufizoni marrëdhëniet me Rusinë se nesër Rusia do përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë”, tha ai.

Presidenti ukrainas e ka mbyllur me një falënderim fjalimin e tij në videomesazhin drejtuar Kuvendit shqiptar.

“Dikush është i vogël në hartë por ka një zemër dhe përzemërsi më të madhe. Faleminderit Shqipëri. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj. Lavdi Ukrainës!”, përmbylli Zelensky, në një kohë që deputetët e Kuvendit u ngritën në këmbë duke duartrokitur.

Po ashtu, ai shprehu mirënjohje  ndaj Shqipërisë për bashkëpunimin e saj në platformën e Kombeve të Bashkuara.

“Duhet të bëjmë një gjë parimore dhe të ndalojmë përdorimin e fondeve të OKB për të sponsorizuar. Nëse ajo shkel kartën e OKB-së, kërcënon sigurinë ushqimore të botës , shkatërron paqen në botë. Rusia nuk ka të drejtë të marrë asnjë cent nga Kombet e Bashkuara”, tha Zelensky.

Kujtojmë që Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke dënuar agresionin rus në Ukrainë.

Pas shumë mesazhesh virtuale të dërguara për vendet më të fuqishme të botës, tashmë presidenti ukrainas ka marrë iniciativën për adresimin e tij dhe të thelbit të çështjes së Ukrainës edhe karshi vendeve më të vogla, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Ndër fjalimet më emocionuese të Zelensky-t përpara ligjvënësve, ka qenë ai përballë senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë, ku shfaqi për herë të parë edhe një video mjaft prekëse të të gjithë ngjarjeve që patën ndodhur në Ukrainë.

Në Parlamentin e Kanadasë, numri një i Kievit mori duartrokitjet e gjithë deputetëve, teksa kryeministri Justin Trudeaux e quajti atë si “heroin e demokracive të Perëndimit”.

Me nisjen e agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, pak njerëz mendonin se pushteti do të ruhej nga Zelensky në Kiev.

Mirëpo, ai jo vetëm që tregoi se do t’i bënte ballë politikës “vrastare” të Vladimir Putinit, por edhe frymëzoi një popull të tërë dhe gjithë botën, në qëndresën e treguar ndaj ushtarëve rusë.

Në Bundestagun gjerman, ovacione shpërthyen për presidentin ukrainas, pasi vijoi të kërkonte me ngulm dënimin e Rusisë dhe sanksionimet e mëtejshme të Moskës për të mos i lejuar të vijojnë luftën.

Teksa, përtej video-mesazheve, ai ka pritur edhe disa vizita nga eksponentët më të lartë evropianë, ndër të cilët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, kryeministri britanik, Boris Johnson.