
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u takua sot me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në kuadër të vizitës së tij në Romë – me rastin e inaugurimit të Papa Leoni XIV.
“Gjatë bisedimeve, Zelensky i informoi zyrtarët amerikanë mbi ato që ai i përshkroi si “kushte jorealiste” të vendosura nga delegacioni rus – gjatë negociatave të paqes të premten në Stamboll” , sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij.
“Unë rikonfirmova se Ukraina është gati të angazhohet në diplomaci të vërtetë dhe nënvizova rëndësinë e një armëpushimi të plotë dhe pa kushte sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Zelensky në X.
Takimi trajtoi gjithashtu nevojën për sanksione shtesë kundër Rusisë, zhvillimet në fushën e betejës dhe shkëmbimin e të burgosurve – 1,000 të burgosur nga secila palë – për të cilin u ra dakord në raundin e fundit të bisedimeve të paqes.
“Presioni është i nevojshëm mbi Rusinë për të ndaluar luftën”, theksoi Zelensky.
“Gjithashtu, folëm për hapat tanë të përbashkët për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtoi ai.
Komente