Zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Demian Smith, të premten e 3 dhjetorit, ka vizituar selinë blu të demokratëve.
Sipas burimeve zyrtare, të marrë nga Albanian Post (AP), Smith po zhvillon një takim me dyer të mbyllura bashkë me deputeten nga radhët e demokratëve, Jorida Tabaku.
Vizita e Smith-it vjen pak ditë para Kuvendit Kombëtar të Demorkatëve.
Kryedemokrati Lulzim Basha e ka vulosur në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike vendimin e tij për të thirrur Kuvendin Kombëtar të demokratëve më 18 dhjetor 2021, datë kjo e ndryshme nga ajo e pretenduar prej paraardhësit të tij, Sali Berisha, i cili kërkon që Kuvendin ta mbledhë më 11 dhjetor.
Replikat midis Bashës dhe Berishës kanë filluar që prej muajit shtator.
Kryetari aktual e përjashtoi nga Grupi Parlamentar Berishën më 9 shtator.
Pas kësaj do të niste një lëvizje brenda demokratëve, të cilën Berisha do ta cilësonte fillimisht si “statutore”.
Më pas, ai ndërmori një seri foltoresh, derisa arriti në dorëzimin e 4 mijë e 200 firmave, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, me qëllim rrëzimin e vendimit të Bashës për ta përjashtuar atë nga partia.
Gjatë javës së fundit ndërkaq, gjuha ndaj njëri-tjetrit është bërë më e ashpër. Akuzat kanë vijuar nga të dyja palët.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, e cila u zhvillua në selinë blu, Basha ka replikuar në distancë – sërish – me ish-kryeministrin Berisha.
“PD-ja nuk vepron me ‘nëse’ janë firmat”, ka thënë ai. “PD-ja ka rregulla dhe statut të qartë. Momenti i verifikimit të firmave ka qenë çdo ditë para 11 nëntorit”.
Sipas Bashës, kjo shkelje e Berishës, për të mos i dorëzuar firmat në Sekretariatin e bluve, është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Deklaratës së Berishës se Kuvendi do të mbahet pa pikë dyshimi më 11 dhjetor, Basha i është përgjigjur se “do ta zhveshë nga çdo iluzion”.