“Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të lira dhe të ndershme dhe u bazuan në shtypje dhe frikë”. Kështu deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ky i fundit shtoi se 27 vendet anëtare të BE-së do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet në Rusi gjatë ditës së sotme.

“Ato u kryen në një kontekst kufizues, të rënduar nga lufta e paligjshme e agresionit të Rusisë në Ukrainë”, shtoi ai, në deklaratën që dha ​​në emër të Bashkimit Europian.

“Autoritetet ruse kanë vazhduar të rrisin represionin sistematik në Rusi, duke synuar opozitën, shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe zëra të tjerë kritikë, ndërsa u janë drejtuar legjislacionit represiv dhe dënimeve me burgim të motivuara politikisht”, theksohet në deklaratë.

Brukseli tha gjithashtu se nuk do të njihte rezultatin e zgjedhjeve të paligjshme në territoret ukrainase nën kontrollin rus, pasi sipas tyre janë të pavlefshme dhe nuk prodhojnë asnjë efekt juridik.

Kujtojmë se Vladimir Putin, i cili u rizgjodh dhe do të qëndrojë në pushtet edhe për gjashtë vite të tjera, sipas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve presidenciale pa opozitë, skicoi portretin e një Rusie që “forcohet” nga fitorja e tij dhe nuk do të “frikësohet” nga kundërshtarët e saj.