Frrok Çupi/

Kësaj here doli e tepërt një stinë e atdheut: Dimri. Ky prishi shumë punë dhe shumë vizatime të shtetit mbi “lumturinë” e shtetasve:

Ra borë dhe nxiu gjithë sukseset. Ngriu akull dhe mpiu gjymtyrët e qenies atdhe. Vdiqën njerëz; deri në momentin kur vdiq i treti dje, qeveria kishte deklaruar se nuk ka të varfër, as të pastrehë. Janë ngrirë tubacionet e ujit dhe depozitat mbi pallate; ç’dreqin desh kjo ngricë!, Tirana ishte shpallur “qyteti më i bukur” e na prishi punë. Fëmijët u njoftuan të mos vijnë në shkollë, kjo stinë i zbuloi shkollat pa ngrohje. Në zonat e Veriut temperatura ka rënë nën minus 20 gradë C.; njerëzit kanë hyrë në mugëtirën e fatit, shteti nuk shikon as nuk dëgjon aq larg sa te njerëzit. Nuk ka kripë për rrugët, pronarët e kripës janë deputetë të Kuvendit, askush nuk mund t’u kërkojë gjë… Edhe kioskat e lodrat që kishin ngritur në sheshin Nënë Tereza në kryeqytet, i dyndën; këtu nuk ka dreq që kolovitet dhe as që ha qofte!. Është kaq ftohtë sa nuk mund të mashtrosh as të pazhvilluarit që të losin me lodrat e shtetit…

Këta e dinin shtetin veç kënaqësi, veç privilegje, veç kanabis, veç tenderë, veç fonde dhe vjedhje…

Kjo stinë duhet hequr nga Atdheu. Aq më tepër, dimri i këtij viti u dëshmua si një “dimër kazani” që sulmoi qeverinë, enkas. Enkas sepse erdhi në fund të mandatit, kur edhe për pak priten zgjedhjet parlamentare. Nuk ka zot!, që i bind më “delet” se qeveria ka bërë punë të shkëlqyer. Edhe delet e panë vetë çfarë ndodhi e sa i pa shteti në ditë të keqe. Qeveria nuk e kishte bërë kontratën me atdheun e vështirë.

Po të mos kishte dimër, tani puna do të ishte krejt ndryshe: Ata që jetojnë në periferi, le të jetojnë si të duan, ekranet e televizionit i mbledhin diku. Ç’rëndësi ka se janë të këputur për bukën e gojës, ç’rëndësi ka se vriten mes veti për parcelat e kanabisit, ç’rëndësi ka se janë të pakënaqur. E kush e mat pakënaqësinë dhe varfërinë?, në fund të fundit. Ata le të thonë se janë të pakënaqur, ne “themi tonën” si qeveri. Ekranin dhe mikrofonin i kemi ne. Edhe votimet në qershor do t’i fitonim se “nuk pyesim njeri”.

Dimri duhet hequr, ky është “ekrani” që zbuloi shtetin. Shteti nuk ka bërë këmbën që të ndihmojë njerëzit e izoluar dhe të rrezikuar seriozisht nga të ftohtit. Duhen edhe 11 ditë të tjera për të mbërritur te temperatura zero gradë, sipas meteorologëve. Deri atë ditë mund të hapen shumë varre, sa nga të ftohtit, sa nga izolimi, sa nga sëmundjet, sa nga e pangrëna. Deri atë ditë do të jetë sfilitur njeriu deri në pikën e fundit. Ditën që do të kullojnë ujërat e borës e të akullit, atë ditë mund të hapen rrugët edhe për te varret- siç edhe ka ndodhur në dimrat e egër të Mesjetës. Atë ditë mund të “shkrihen”njerëzit e të kërkojnë shtetin: Ku je? Ku është e drejta jonë? Ku është taksa jonë? Ku është shteti ynë!?.

Po të mos e heqë shteti dimrin, atëherë njerëzit do të kërkojnë të heqin shtetin, ose qeverinë- siç ngatërrohen shpesh nga shumica. Shteti duhet ta heqë sa më parë këtë stinë, ndryshe nuk mund të tregojë shkëlqimin e zyrave, të kostumeve, të foltoreve, të vilave…

D’ora d’orës (orë pas ore- thonë në Mirditë) duhet të hiqet një stinë nga trupi i Atdheut! O dimri, o qeveria!

Kjo është më e thjeshta dhe më e dobishmja. Janë bërë prova se si qeveria ka vënë dorë mbi trupin e atdheut. A nuk u copëtuan, para dy vjetësh,  krahina të tëra në hartën e Shqipërisë veç për të operuar ato pjesë që nuk japin vota për Rilindjen? Ja shikoni, kemi më Mirditë? Jo. Mirdita dikur quhej “Drin e Mat”, tani nuk është as “ara e Krosit”. Edhe Shkodra është bërë më e vogël se Maliqi pas operacionit… Ato pjesë të trupit të atdheut që nuk i duheshin qeverisë, i hoqi. Edhe para kësaj qeverie, kështu ka ndodhur. Kur diktatori Hoxha mori vesh se në kafenetë e kryeqytetit thuheshin barsoleta kundër tij, i mbylli  shumicën, atdheu mbeti veç me burgje dhe salla kongresesh. Këta mund t’i heqin atdheut kollaj edhe Stinën.

Kur teoricienët e mëdhenj, si John Locke, skicuan ndërtimin e shtetit, parashikuan edhe natyrën si pjesë të shtetit… dhe pas kësaj “të drejtën natyrale”, “ligjin natyral”, etj. Gjithçka është pjesë e shtetit dhe e bën shtetin shtet për njeriun. Këta nuk duan t’ia dinë.

Veritas.com.al/