Prej disa ditësh prokuroria po kërkon prova mbi ekzistencën e një mjeti përgjues që ka përdorur Policia e Shtetit.

Që nga fillimi i gjurmimit për pajisjen kompjuterike përgjuese, gjatë rrugës sa  ç’janë paraqitur prova, po aq edhe pengesa. Mes vetë krerëve të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme janë shfaqur kundërthënie dhe kundërdeklarata. Prokuroria urdhëroi ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit të përzierë në aferën e përgjimit si dhe pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Qëllimi ishte hapja e rrugës për hetime të mëtejshme dhe pa pengesa.

Ditët e fundit është paraqitur si provë autovetura me të cilën mjeti përgjues ka hyrë në Shqipëri nga Italia. Po me këtë mjet është transportuar pajisja kompjuterike në misionin e vet përgjues, sipas destinacionit të urdhëruar. Gjithashtu është identifikuar edhe personi që drejtonte autoveturën ku ndodhej pajisja përgjuese, Ention Xhelilaj, oficer policie, tashmë i ndaluar me masë arresti.

Makina me të cilën lëvizi pajisja përgjuese IMSI Catcher u filmua në rrugët e Tiranës pa ekspertët italianë. Mjeti drejtohej vetëm nga efektivi i policisë Ention Xhelilaj, sipas filmimeve të kamerave të sigurisë që prokuroria sekuestroi në Bashkinë e Tiranës. Këto janë dhe prova se pajisja përgjuese nuk u mbikqyr gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë, siç tha në dëshminë e tij Saimir Tahiri, minsitër i Brendshëm dhe Haki Çako, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Automjeti që drejtohej nga Ention Xhelilaj u fiksua në dy raste nga kamerat e sigurisë që ofroi Bashkia. Burime pranë prokurorisë thanë se drejtuesit e bashkisë së Tiranës ishin shumë bashkëpunues me prokurorët, të cilëve iu vu në dispozicion çdo pamje e mundshme nga rrugët e kryeqytetit.

Ndërsa Policia nuk ka pranuar bashkëpunimin me Prokurorinë. Policia  deklaruar se pamjet e kamerave të sigurisë nuk ekzistonin.